Ngjarjet politike kanë mbërthyer edhe futbollin së fundmi, teksa lojtarët turq kanë zgjedhur të mbështesin trupat ushtarake të shtetit të tyre në sulmin ndaj Sirisë veriore. Një gjë të tillë e bëri edhe Kombëtarja e Turqisë në ndeshjen ndaj Shqipërise, ku festoi golin me përshëndetje ushtarake.
Por nuk ishte ky i vetmi rast, pasi një situatë e ngjashme ka ndodhur me futbollistin Cenk Sahin, që aktivizohet me ekipin e St. Pauli në Ligën e Dytë gjermane. Lojtari postoi në rrjetin e tij social në “Instagram” një foto të flamurit turk me mbishkrimin: “Jemi në krah të ushtrisë sonë heroike. Lutjet tona janë me ju”.
Këto fjalë kanë ngjallur irritim te tifozët ultras të klubit gjerman, të cilët i kanë dhënë ultimatum drejtuesëve të St. Paulit për të larguar në mënyrë të menjëhershme futbollistin turk nga radhët e tyre.
Ndërkohë skuadra gjermane duket se po e mendon seriozisht përjashtimin e 25-vjeçarit turk, pasi ka dhënë një njoftim ku distancon veten nga fjalët e Sahin, të cilat sipas saj nuk janë në përputhje me vlerat e klubit. Gjithashtu shtojnë se do i shkojnë në çështjes në brendësi për të dalë më pas në një vendim përfundimtar. “Jo më luftë”, në këtë mënyrë e përmbyll St. Pauli njoftimin e bërë prej tyre./Sport Ekspres/