Asnjë komb nuk do bëjë qoftë edhe një gjysmë hapi para nëse një ditë dikush nuk do zgjohet dhe do të thotë: sindikatë. Mungesa e tyre është një motiv më shumë për t’i bëra hapat pas, por kujdes, më mirë pa sindikatë, se sa me një sindikatë qe nuk funksionon.
Kur Andi Lila firmosi kontratën e pare profesionistë rreth 18 vite më parë, një copë letër të cilën nga gëzimi as nuk e lexoi fare, nuk e dinte që një ditë do firmoste statutin e një shoqate qe do mbrojë të gjithë futbollistët, mbi te gjitha nga letrat e firmosura pa lexuar ose nga dëshira e paepur e presidentëve për të përfituar sa më shumë në dëm të lojtarëve. Sindikata e futbollistëve, e parë nga larg, duket një domosdoshmëri. Njerëzit besojnë, lojtarët gjithashtu. Shoqata e trajnerëve dhe e gjyqtarëve është katandisur në një vegël të përtacisë. Kjo e lojtarëve duket ndryshe.
Çfarë është? Le të themi një lloj oponence, ose një mekanizëm i bashkuar, për te evituar “viktimën”, futbollistin. Klube me probleme financiare, lojtarë te pasiguruar, vonesa të tmerrshme në pagesa, asnjë kontribut në forme pensioni kur lihet futbolli. Dhoma e zgjidhjes së konflikteve dhe institucioni i futbollit shumë shpesh ka predispozitë të mos dënojë klubet, duke nxjerrë kështu në mënyrë të padrejtë të pakënaqur lojtarët.
Në këtë mbledhje të parë ishin 26 lojtarë përfaqësues nga çdo klub, nga Kategoria Superiore dhe kategoritë e tjera. Kryetar i sindikatës u zgjodh Andi Lila. Në përgjithësi ka qenë e tëra një ide e tij, nga A te Zh, dhe në këto kushte është normale që pasi ka marrë dhe OK e komunitetit të futbollit të qëndrojë në qendër te një projekti të vështirë dhe mbi të gjitha më së shumti moral dhe financiar. Ajo copë letër që sidomos në fillim të karrierës e firmoste pa e parë, i shfaqet sa herë sheh dikë që bën të njëjtin gabim.
Në kohë rekord në sindikatë do anëtarësohen te gjithë lojtarët, ashtu si dhe FSHF është e detyruar ta njohë këtë grupim apo bashkim individësh quajeni si të doni. Kryetari i sindikatës përveçse do ketë të drejtë vote në zgjedhjet për president të FSHF-së, gjithashtu do jetë automatikisht anëtar i Komitetit ekzekutiv.
Për pak harruam: kjo sindikatë mbi të gjitha do mbrojë ata për të cilët nuk ka menduar askush. Në shumicën e kohës dënimet prekin vetëm ata dhe kjo nuk është e ndershme.
Në një vend si Shqipëria, ku sindikatat e para u krijuan në fillim të viteve ’90, por u shuan aty për aty për një mori arsyesh, kjo nismë e një lojtari duket se i bën njerëzit ta besojnë.
Ajo copë letër e firmosur pa e parë nuk është e vetmja arsye se pse futbollistët duhet të bashkohen. Lila i ka idetë e qarta: e para është në çdo kampionat, e dyta, a e mbani mend sa herë akuzohen lojtarët, gjobiten, dënohen dhe nuk paguhen? Mjaft më!