Futbolli shqiptar ende në ngërç, kreu i FFK-së “i tërheq veshin” Qeverisë: Ligji i Kosovës aplikohet edhe në Shqipëri

Liga dhe Kryeministri Rama vazhdojnë të mos kenë një takim, ku të ulen në një tryezë e të zgjidhin ngërçin në të cilin ndodhet futbolli shqiptar. Një ligj mbi sponsorizimet është jetik për klubet shqiptare, të cilat vetëm nëpërmjet lehtësirave fiskale mund të gjejnë frymëmarrje dhe të krijojnë një buxhet të tyre.

Një model që është nxjerrë shpesh si shembull është vetëm përtej kufirit, në Kosovë, ku janë krijuar kushtet e duhura për bizenset e presidentët që të investojnë në sport, duke rritur në këtë mënyrë edhe cilësinë në kampionat. Në një prononcim për “Sport News Plus” në “News 24”, ka folur kreu i FFK-së, Agim Ademi, i cili thekson se një ligj i tillë mund të zbatohet lehtësisht edhe në Shqipëri

“Ne kishim një bashkëpunim shumë të mirë me qeverinë. Shpresoj që edhe në Shqipëri palët të gjejnë një zgjidhje të shpejtë. Ligji i Sportit në Kosovë afron sponsorat në futboll dhe në të gjitha sportet me anë të lehtësimeve fiskale në tatime, apo në tatimet mbi fitimet. Nga ana tjetër, qeveria ka marrë përsipër krijimin e infrastrukturës, fushave, palestrave etj. Në këtë mënyrë, klubet mund të kenë mundësi për krijimin e një buxheti të nevojshëm.

Mendoj se ai mund të aplikohet edhe në Shqipëri, pasi ligjet e dy vendeve nuk janë shumë të ndryshëm. Sa I përket bojkotit, nuk mund të them nëse ishte zgjidhja e duhur apo jo. Por shpersoj edhe një herë që të gjehet sa më shpejt zgjidhja dhe futbolli të kthehet në fushë, pasi edhe kalendari nuk premton”, ka thënë Agim Ademi./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *