Rikthehet kursi për video-analistët e futbollit të organizuar nga Federata Shqiptare e Futbollit. Këtë herë, regjistrimi do të jetë i hapur për të gjithë personat të cilët kanë mbushur moshën madhore. Profesioni i video-analistit është një pozicion i ri në botën e futbollit, por gjithnjë e më i dobishëm për stafin: video-analisti është personi që mbledh çdo lloj informacioni të dobishëm për punën e skuadrës, trajnerit dhe drejtuesve. Dhe në çdo staf dinjitoz, kjo figurë është themelore për të pasur një avantazh ndaj kundërshtarit.
Kursi do të zhvillohet duke filluar nga data 12 shtator dhe do të vazhdojë për 10 ditë. Nga 14 shtatori në Shtëpinë e Futbollit (ose në stadiumin “Air Albania”) në Tiranë, do të mbahen kurse që do të trajtojnë të gjitha çështjet që lidhen me analizën e futbollit: taktikat, përdorimin e videove, analizën e të dhënave dhe trajnimit. Kursantët do të kenë në dispozicion një llogari në Wyscout, që është platforma më e madhe në botë për të dhëna mbi lojtarët dhe skuadrat në botë, për të nisur prezantimin në botën e analizave të profesionistëve.
Projekti i Departamentit të Analizës, Skautizmit dhe Inovacionit në Federatën e Futbollit filloi sezonin e kaluar dhe së shpejti do të rinisë nga puna me krijimin e kursit të parë të hapur për të gjithë, ku do të ketë edhe lehtësira për femrat dhe studentët universitarë.
Të investosh në arsimimin e video-analistëve do të thotë të investosh në të tashmen dhe në të ardhmen e futbollit shqiptar: falë kësaj figure, jo vetëm trajnerët, por mbi të gjitha klubet, do të kenë në dispozicion më shumë informacione për të marrë vendimet e tyre më të rëndësishme, si për ndeshjet ashtu edhe për merkaton.
Pikërisht për këtë arsye, në projektet e ardhshme të FSHF-së është edhe përfshirja e video-analistëve në stafin e çdo klubi të Kategorisë Superiore dhe në të gjitha ekipet kombëtare, si për meshkuj, ashtu edhe për femra.
Në faqen zyrtare dhe në të gjjitha llogaritë në rrjetet sociale të FSHF-së do të publikohen së shpejti edhe procedurat për regjistrimin në kurs, që do të organizohen nga stafi i Federatës.