Nga Klaudio Ndreca
Gatuzo ka arritur të bëjë një mrekulli me Napolin, nëse mund të quhet e tillë plotësisht, teksa ka fituar finalen e Kupës së Italisë ndaj Juventusit. Nga pika e bardhë e penalltisë do të tregoheshin më të saktë lojtarët e Napolit, ndërsa koha e rregullt përfundoi në barazimin pa gola.
Ndërkohë Kupa e fituar ka vetëm një dedikim për trajnerin, që shkon për motrën e tij që ndërroi jetë pak kohë më parë. Asnjëherë nuk mund të përmbahet me shprehjen e emocioneve, ndërsa nuk mundej kurrsesi as këtë herë.
Menjëherë pas fundit të takimit, Gatuzo është shprehur për “RAI 1” se futbolli e ka formuar si njeri. “Futbolli më bëri besimtar, futbolli më bëri burrë. Kur të mungon motra, nuk mund ta pranosh. E di që nuk mund t’i heq asnjë presje kësaj që ka ndodhur. Shpeshherë zemërohem se dua të shoh pasion te lojtarët. Nuk kam asnjë pendim. Tani le të shohim nga Seria A që do të luhet në çdo tre ditë, ka vend për të gjithë”, ka thënë Gatuzo. /Sport Ekspres/