Futbolli kundër politikës, sot luhen 90 minuta vendimtare

Duka kundër Finos do të jetë padiskutim “ndeshja” më e ashpër që është luajtur në këto dekadat e fundit sa i përket postit të federatës, edhe pse mes tyre ka një hendek të madh. i ftuari i tretë, Hala

Plot një javë nga dita e të dashuruarve (14 shkurti) sot, ora 09:00, në hotelin “Adriatik” në Durrës, pritet të jetë dita e urrejtjes mes palëve, edhe pse kurrë e deklaruar zyrtarisht, në kufi të fair play që është shkelur me të katërta këmbët gjatë kësaj periudhe prag-zgjedhore. Asambleja e Përgjithshme sot do të nisë punimet e saj, ku në rendin e ditës tema kryesore është zgjedhja e presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit, por edhe si dytësor, zgjedhja e anëtarëve për Komitetin Ekzekutiv. Armand Duka, Bashkim Fino dhe Shpëtim Hala, me këtë të fundit që praktikisht është thjesht një “emër” që i është shtuar listës për ta bërë numrin “tek” dhe jo “çift” (me gjithë respektin për ish-arbitrin). Sepse, dueli i vërtetë është ai mes presidentit aktual të organit më të lartë drejtues të futbollit shqiptar dhe deputetit të Partisë Socialiste, deri pak kohë më parë me postin edhe si sekretar. Armand Duka kërkon mandatin e tij të pestë pasi drejton institucionin e FSHF-së prej 16 vjetësh, që prej vitit 2002, kur arriti të fitonte kandidaturën me Mehdi Bushatin. Nga ajo kohë, shumë gjëra kanë ndryshuar, mes tyre arritja historike, kualifikimi dhe pjesëmarrja në një kampionat evropian, përveç se infrastruktura e ndryshuar dhe përmirësuar dukshëm (së shpejti do të kemi edhe stadiumin e tretë kombëtar (“Arena Kombëtare”) pas rikonstruksionit të “Elbasan Arena”, “Loro Boriçi”), por sidomos edhe ekipet shqiptare tashmë synojnë pa problem grupet e Europa League, me Skënderbeun që ka marrë pjesë dy herë. Sakaq, Bashkim Fino është gati të lërë jetën e tij politike pas 24 vjetësh, duke tentuar “grushtin e shtetit” në dëm të Dukës, pra hedhjen e tij nga froni.

Dueli – Një duel i nisur zyrtarisht më 11 janar, kur si Duka, ashtu edhe Fino paraqitën kandidaturën dhe platformat e tyre, duke mos u fshehur më. Listës iu shtua edhe ish-gjyqtari Shpëtim Hala, por që historia e tij është e “traçuar” që përpara se të nisë Asambleja dhe procesi zgjedhor.

Topi… në mes – Nuk dihet se sa do të zgjasë ky proces zgjedhor, apo nëse do të ketë surpriza të pakëndshme në mes, për të penguar gjithçka dhe për të shtyrë atë që pritet të jetë dita vendimtare. Një gjë është e sigurt: luan futbolli kundër politikës. Jo për faktin se deputeti Fino vjen nga karrigia e parlamentarit, por sepse ai ka nisur të lëvizë të gjitha gurët e “shahut” politik që ka lidhje të drejtpërdrejtë në sistemin futbollistik shqiptar, në sajë të Bashkive, që janë edhe faktori kryesor në këtë Asamble, në sajë të delegatëve që do të votojnë. Futbolli sepse Armand Duka, që vinte nga fusha e biznesit, sigurisht që në 16 vjet ka përvetësuar jo pak eksperiencë dhe sidomos dije për të punuar dhe për të rritur e zhvilluar futbollin në Shqipëri, e vetmja hallkë pozitive dhe ende e pakëputur, në ndryshim nga politika, e cila që pas rëniës së sistemit totalitar, ka qenë praktikisht një “njollë” që ende nuk ka dalë nga “kostumi” i vendit tonë… Dhe, sa herë ka futur hundët edhe në sport, në vend që ta rregullojë, e ka shkatërruar. Në vend që ta ndihmojë, e ka varfëruar. Në vend që t’i japë një dorë, e ka shtyrë drejt greminës… Falë këmbënguljes së FSHF-së, u bë e mundur që raporti të ringjitej me qeverinë dhe politikën, të paktën në kuadër të infrastrukturës.

Platformat – Në një anë Duka, me një platformë që ka nisur 16 vjet më parë dhe që vijon në rrugën e zhvillimit, ndërsa në tjetrën Fino që ka një platformë “imagjinare”, sepse në futboll, deri më tani, rezulton vetëm si një tifoz dhe asgjë më shumë.

Praktikisht, një krahasim mes kandidimit të FSHF-së me “Arenën Kombëtare” në letër, për të pritur Superkupën Europiane dhe kandidaturave të tjera me impiante reale dhe të formuara me kohë. Dhe, nëse vërtet duhet që futbolli të mbetet larg politikës, atëherë ky është momenti që të konfirmohet kjo, edhe pse tashmë vetëm për topin nuk mund të flitet, pasi gjithçka ka marrë nuanca politike.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *