Rexhina Maxhalaku, apo Rea, siç e njohin të gjithë, dallon në grupin e vajzave me të cilat stërvitet, sepse është më e gjata mes shoqeve. Një nga qendërmbrojtëset më të talentuara të klubit të Tiranës dhe Kombëtares shqiptare, Rea është bërë në një farë mënyre pjesë e futbollit, fillimisht përmes televizorit, duke qenë një shikuese e rregullt e ndeshjeve në fundjavë me të atin, e më pas, duke luajtur me fëmijët e lagjes.
Në fillimin e vitit 2020, paçka se nuk kishte mbushur ende 15 vjeçe, në listën e saj të dëshirave një nga objektivat kryesore ishte të bëhej pjesë e Kombëtares. Ajo ia doli të fitonte besimin e trajnerit të Kombëtares U-17 për vajza, Agustin Kolës, i cili e aktivizoi në të tre ndeshjet e turneut “UEFA Development”, që u zhvillua në shkurt të vitit të kaluar në Shqipëri.
Në një intervistë për rubrikën “Talenti Shqiptar”, në fshf.org, ajo tregon synimet e radhës që i ka vendosur vetes, idhullin si dhe mesazhin që ka për të gjitha vajzat që duan të luajnë futboll.
– Si lindi dëshira dhe pasioni për futboll? Cili ishte njeriu i parë që të afroi me këtë sport dhe besoi te ti?
– Babai im ka ndikuar shumë tek unë sa i përket lindjes së kësaj dashurie. Ai shihte ndeshje pasditeve në fundjavë dhe më merrte edhe mua t’i shihnim bashkë. Pastaj filluam te mblidheshim me fëmijët e lagjes dhe nga dreka deri pasdite, luaja futboll me ta.
Aty familjarët e mi, teksa vinin ndonjëherë të më shihnin, e shikonin se me sa pasion luaja dhe sa dëshirë kisha dhe kështu babi, investoi tek unë duke më regjistruar në një ekip vajzash. E falënderoj në fakt atë, sepse përveç investimit financiar, më shumë besoi tek unë se do t’ia dilja dhe sot jam pjesë e klubit të Tiranës dhe e Kombëtares U-17.
– Si është marrëdhënia jote me grupin dhe trajnerin? Po për ecurinë me klubin çfarë mendon? A je e kënaqur?
– Edhe në ekipin ku isha, me trajnerin dhe vajzat kemi pasur një marrëdhënie mjaft të mirë, por edhe në ekipin që jam pjesë tani, marrëdhënia qoftë me trajnerin, apo edhe me gocat, është një marrëdhënie e stabilizuar. Po eci mirë besoj, duke pasur parasysh moshën që kam dhe synimet që i kam vendosur vetes. Po punoj fort dhe edhe me klubin punojmë shumë që të arrijmë qëllimin që kemi vendosur në fillim të kampionatit.
– Si e përjetove momentin kur more ftesën e parë nga Kombëtarja dhe debutimi me ngjyrat kuqezi?
– Ah, normalisht, një ndërthurje emocionesh të papërshkrueshme me fjalë. Për mua, një ndër momentet më të lumtura dhe një ndër gjërat që kam hequr nga “to do list”, që i kisha vendosur vetes vitin e shkuar. Falënderoj profesor Agustinin për besimin që më dha, duke më aktivizuar edhe te ndeshjet. Debutimi me ngjyrat kuqezi, përveç emocioneve, më dha mjaft përvojë si sportiste dhe më rriti besimin te vetja.
– Cili ka qenë momenti apo episodi më i lumtur në karrierën tënde deri tani ?
– E thashë pak më sipër, sigurisht ftesa nga Kombëtarja ka qenë ndër momentet më të lumtura, por edhe arritjet individuale që kam pasur me klubin.
– Cila është sakrifica më e madhe që ke bërë për futbollin ?
– Sakrifica ime më e madhe? Mposhtja e mentalitetit dhe kam arritur të mposht besimin e njerëzve, të cilët menduan se nuk do ia dilja. Unë jam Rea!
– Çfarë synimi ke për të ardhmen?
– Padyshim që mendoj dhe synoj që sa më shpejt të marr ftesën nga Kombëtarja A dhe shpresoj që edhe të bëhem pjesë e ndonjë klubi në Europë, pasi dua të rritem më shumë profesionalisht.
– Si e vlerëson faktin që Federata Shqiptare e Futbollit po i jep prioritet futbollit të femrave?
– Është një ndër lajmet më të mira që morëm vitin e kaluar. Mendoj se duke i dhënë prioritet futbollit të femrave, jo vetëm do të rritet numri i gocave që duan të luajnë futboll, por do të rritet edhe niveli i futbollit të femrave në Shqipëri.
– Cili është idhulli yt në kombëtaren ideale?
– Idhulli im është talenti më i madh botëror, Lionel Mesi. Ai më ka ndihmuar shumë, në mënyrë të tërthortë, pasi duke parë atë, mënyrën se si luan, çfarë arritjesh ka pasur, qoftë individualisht apo edhe me ekipin, kanë ndikuar shumë tek unë.
– Çfarë mesazhi i jep vajzave që i thuhet se futbolli është vetëm për djem?
– Mesazhi që i jap të gjithë vajzave shqiptare është të ndjekin zemrën, të ndjekin pasionin, të duan futbolli, të mos ndikohen nga njerëzit dhe të mposhtin këtë mentalitet që ka shkatërruar kaq shumë ëndrra. Është viti 2021! Duhet të jemi më shumë. Futbolli i vajzave ka nevojë të rritet dhe mund të rritet vetëm nga vajzat që guxojnë. Guxoni!