Tragjikomike: në Shqipëri klubet fryhen e fryhen dhe pastaj mjafton një humbje që të plasë lufta, të kërkohen armiqtë e të nisin pezullimet e gjobat. Imagjinoni pak sikur Milani të vendoste masa të tilla kohët e fundit, do katandisej me gjysmë skuadre, do bëhej gazi i botës dhe do e mbytnin paditë e lojtarëve në FIFA.
Jo, te ne funksionon ndryshe, shihni rastin e fundit. Humbja e pësuar me Shkumbinin nuk është pritur mirë në Berat dhe Tomori ka nisur reprezaljen.
Sot është marrë vendimi për të pezulluar pa afat tre prej lojtarëve titullarë, ndërkohë që ka gjoba pothuajse për të gjithë futbollistët, me përjashtim të dy prej tyre.
“Mikel Kaloshi, Ervis Çaço dhe Xhuliano Mirani janë të pezulluar deri në një vendim të dytë, për mos impenjim maksimal në humbjen e marrë ndaj Shkumbinit. Sakaq, pjesa tjetër e futbollistëve është ndëshkuar me 50% të rrogës, me përjashtim të Doraldo Pajës dhe Genald Sharavollit”, shkruhet në njoftimin e klubit.
Bravo, po humbën edhe ndeshjen tjetër, do u mbahet edhe gjysma e rrogës, ndërsa po humbën sërish lojtarët do marrin borxh që të paguajnë klubin.