Futboll i ri, rregulla të reja/ Gjermania sërish shembull, miraton planin për rikthimin e tifozëve në stadium

Gjermania është e para që ecën me hapa konkretë sa i përket futbollit, duke u bërë sërish një shembull për vendet e tjera. Bundesliga ishte e para që u rikthyer pas pandemisë, ndërsa tani vjen me një plan për të sjellë sërish tifozët në stadium. Klubet e elitës së Gjermanisë dhe Bundesliga 2 kanë aprovuar planin e Federatës për rikthimin e spektatorëve në tribuna.

Megjithatë rimbushja e stadiumeve do të vijë me rregulla. Kështu, së pari, në tribuna do të jenë të pranishëm vetëm tifozët e ekipit vendas, teska ata të skuadrës mike nuk do të lejohen. Gjithashtu hapësirat ku nuk ka ulëse dhe shërbejnë për qendrimin në këmbë gjatë ndeshjes do të mbyllen.

Edhe pse gjermanët njihen për konsumimin e lartë të birrave, një gjë të tillë nuk do të kenë më mundësinë ta bëjnë duke parë një ndeshje futbolli. Një tjetër rregull, që vjen si pasojë e lehtësisë për gjurmimin e rasteve, bën të mundur që biletat tashmë të jenë të personalizuara dhe çdo tifoz duhet të lërë të dhënat e tij personale në momentin që ble një të tillë.

Kështu, futbolli gjerman po shkon drejt një normaliteti të ri, teksa mungon vetëm aprovimi nga institucionet qeveritare. Normalisht që numri i tifozëve në fillim nuk do të jetë maksimal, por gjithsesi është një hap i mirë i hedhur për futbollin dhe tifozët./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *