Në media janë trajtuar si një ekip simpatik, që shumë shpejt ngjiti shkallët e futbollit shqiptar, madje një vit më parë ishte surprizë e këndshme në Grupin A. Fjala është për skuadrën e Shënkollit, që fundjavën e shkuar në transfertën me Naftëtarin në Kuçovë, do të mbahet mend se ka shkuar me tre rezerva. Por, jo vetëm kaq, nuk ka pasur asnjë portier rezervë. Ja pra, ky është realiteti në futbollin shqiptar.
Janë ekipe që garojnë në një kampionat profesionist, por duket se ndonjëherë as vetë nuk e besojnë se ku luajnë dhe për çfarë luajnë! Po sikur të dëmtohej portier kryesor, atëherë kush do ta zëvendësonte atë?! Prandaj edhe rregullorja e parashikon që një skuadër duhet që të ketë 18 futbollistë në çdo ndeshje, kjo jo vetëm për të synuar më të mirën, por edhe për t’iu shmangur të papriturave, që në futbollin tonë ndodhin rëndom!
Duket se te Shënkolli kanë probleme serioze, sepse edhe në ndeshjen e javës së shkuar ndaj Pogradecit nuk kishin regjistruar asnjë portier rezervë në protokoll, ndërsa në Kuçovë kishin shkuar pak shumë nga titullarët e ndeshjes paraardhëse, asnjëri prej tyre i pezulluar: portieri titullar Rinev Danaj e me radhë vëllezërit Adiol e Rexhino Luzi, Kristjan Liçaj, Erisildo Smaçi e Serxho Ujka!