Bundesliga e hodhi hapin e para për të rinisur sezonin, ndërsa rrugën e saj pritet ta ndjekin edhe kampionatet e tjera elitare muajin e ardhshëm. Por nëse në Gjermani i dedikojnë fundjavën futbollit, në Spanjë kanë vendosur të gjithë javën në dispozicion për La Ligan. Kështu, sipas asaj që bën të ditur media “AS“ klubet e kampionatit spanjoll do të luajnë nga e hëna në të dielën, ndërsa një ekip do të ketë mundësi të pushojë 72 orë përpara se të zhvillojë takimin e radhës.
Ndërkohë n gadishullin Iberik po mendohet edhe për oraret kur do të luhen ndeshjet. Nga e hëna në të premten do të luhet të paktën nga ora 19:30, ndërsa orari mund të shokë edhe deri në 23:00. Gjatë fundjavave takimet do të zhvillohen më shpejt se ora 19:30 në pjesën veriore të Spanjës, ndërsa në jugun e vendit skuadrat do të zbresin në fushë në orën 23:30.
Arsyeja për këtë janë kushtet atmosferike, ku pjesa jugore karakterizohet nga temperaturat e larta dhe për t’u ardhur në ndihmë lojtarëve janë zgjedhur orët e vona për të luajtur ndeshjet e mbetura të sezonit. Kujtojmë se La Liga është planifikuar të nisë në mesin e muajit qershor, për të përfunduar në fund të muajit korrik, duke qenë brenda afatit të vendosur nga UEFA. Kështu që të gjithë mund të gëzohemi, pasi çdo ditë e verës do të sjellë futbollin pranë nesh./Halit Delibashi-Sport Ekspres/