Situata që po kalon skuadra e Tomorit, ndoshta bashkohet edhe me gjendjen e stadiumit të vjetër në Berat, i cili ka vite që përdoret për stërvitje dhe ndeshjet e moshave. Por kjo foto e publikuar sot në rrjetet sociale, flet shumë për kujdesin që tregohet në Berat në mirëmbajtjen e terreneve sportive, aq më shumë ky stadium që historinë e tij e nis nga viti 1945. Përballë tij shtrihet “Shtëpia e Bardhë” (Ish-Universiteti), një përballje e trishtë!
Ja si shkruhet sot në Facebook për këtë gjendje: “Shumë kujtime të bukura ka tifozeria beratase në këtë stadium. Kjo fushë që stërviti dhe nxori me qindra talente. Ky është stadiumi i Valentin Karajës,Teli Zahos, Luke Hodos, Petrit Cilingirit, Bert Kokalarit, Agim Matrapazit, i të Madhit Përparim Kovaçi dhe i qindra të tjerëve ndër vite. Fusha e stadiumit të vjetër është e vetmja që ju ka mbetur fëmijëve të të gjitha moshave për t’u përgatitur për të ardhmen e ekipit Tomori”.
“Stadiumi i vjetër është simbol i futbollit beratas, por degradimi i këtij stadiumi ka kohë që ka filluar, dhe do të vijë dita kur qyteti ynë me 100 mijë banorë nuk do të ketë një fushë që të luajnë me qindra futbollistë të moshave që përfaqësojnë sot dhe nesër Tomorin. Shikoni foton e degradimit të stadiumit të vjetër, e cila flet më qartë për këtë situatë”.