Fuqia që duhej të ishte e Tiranës po shpërndahet në gjithë Superioren, Arbi Laçi po vazhdon me goditjet në merkato

Një jetë duke bërë tifoz për Tiranën dhe duke qenë ushtar i parë i saj në shkallët e stadiumit, për të bërë çdo sakrificë të mundshme që të siguronte një biletë të bardhebluve, duke përfunduar te njeriu me kollare që veshi skuadrën e zemrës me titullin kampion. Kjo histori mund të jetë e denjë për t’u bërë film, por nëse do të kishte një arsye që shikuesit nuk do ta preferonin për ta ndjekur, është fundi “i trishtë” duke marrë parasysh edhe faktin sesi nisi e gjithë zanafilla. E në momentin që ëndrrat u bënë edhe më të mëdha ishte koha për t’u zgjuar në realitetin e shëmtuar.

Objektivi i arritur dhe krenaria e madhe ishte për Arbi Laçin që plotësoi edhe dëshirën e thirrjeve që dikur bënte në shkallët e stadiumit me shokët e tjerë: “Tirona-kampion”! Por papritur kjo magji u prish dhe nuk vazhdoi seria tjetër e filmit, me Tiranën që zgjodhi të ndërronte tërësisht aktorët kryesorë. Mes tyre ishte edhe Laçi që duhej të zgjidhte për t’u larguar. Nuk ishte kjo dëshira e tij, por nga ana tjetër nuk e kishte një tjetër zgjedhje për të çuar deri në fund projektin që kishte nisur sipas ideve të tij.

Tashmë ish-drejtori sportiv i Tiranës po furnizon ekipet e tjera në Superiore me lojtarë cilësorë që të konkurrojnë denjësisht për titullin kampion në sezonin e ardhshëm. Ndërkohë akoma edhe më ironik është fakti se dy transferimet e para të Arbi Laçit shkojnë te dy ekipet e tjera të kryeqytetit. Bëhet fjalë për afrimin e Herald Markut te Partizani, që ishte lojtari më i preferuar te Vllaznia, ndërsa Dinamo u përforcua me një mbrojtës të Kombëtares të Malit të Zi, Aleksandar Sofranac.

Pra nuk bëhet fjalë thjeshtë për futbollist që shtojnë numrin në organikë, por që do të marrin fanellën e titullarit dhe që pritet të mbajnë mbi supe peshën e skuadrave respektive. E në një farë mënyre Tirana sheh sesi njeriu i saj, që e kishte në dorë për të forcuar vetveten, po shpërndan fuqinë që duhej ta kishin bardheblutë në skuadra të tjera. Ndoshta kjo nuk ishte as dëshira e Arbi Laçit, që ekipet e tjera të kryeqytetit të bënin merkato më të mirë se Tirana e tij. Por këtë rrugë zgjodhi fati, ndërsa matja e suksesit për Arbi Laçin nuk matet më me rezultatet e bardhebluve. Këtë herë suksesi matet me emrat e klubeve ku i dërgon futbollistët dhe elementët që zgjedh për ekipet. Dy të parat ishin lëvizje të zhurmshme, të tjera po vijnë! /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *