Nga Klaudio Ndreca
Një ftesë dhe mundësi që i mbërriti Ngosë nga Shqipëria ishte shumë më tepër sesa një shans karriere. Përpos të gjithave ishte mundësia për të rikthyer sërish lumturinë tek ky sulmues dhe për të marrë frymë lirshëm, gjë kjo e cila i mungonte prej muajsh.
Në një intervistë për “The Guardian”, Ngo tregon se ka kaluar edhe në depresion, ashtu si shumë futbollistë të tjerë pas momente të vështira, ku dëmtimet e shumta i krijuan iluzionin e mbylljes së parakohshme të karrierës. Kalimi tek Tirana do ta qetësonte në të gjitha aspektet, atje ku rigjeti vetveten dhe tani po bëhet gati për hapin e radhës në karrierë. Tifozët bardheblu e dinin se ky sulmues nuk do të qëndronte gjatë, madje Ngo shprehet se edhe kjo periudhë ka qenë jashtë planit të tij, pasi supozohej të ishte larguar më herët.
“Psikologjikisht nuk isha mirë. Kisha shumë gjëra në mëndje dhe isha shumë i dëshpëruar në ato momente. Shumë lojtarë kalojnë në depresion dhe unë kisha të njëjtin rast. Kur erdha oferta nga Tirana, unë kërkova një ndryshim të mjedisit, prandaj pranova. Nuk dija shumë për Shqipërinë, për futbollin, thjeshtë më duhej të gjeja veten dhe të lija pas periudhat e vështira.
Kam pasur shumë probleme fizike, me muskujt. Stili im i vrapimit është i ndryshëm pasi më duhet të adaptohem me trupin tim të ri. Në fundin e sezonit të kaluar nisa që të ndihesha më mirë, ndërsa deri në atë moment kam pasur frikë. Tani jam i freskët dhe gati për të marrë një hap tjetër të rëndësishëm në karrierë.
Nëse nuk do të jepja 100% nga vetja, dyshoj se tifozët do të tregonin respekt për mua siç e bëjnë tani. Në Shqipëri kanë Tiranën si ekipin më historik, ata kanë fituar më tepër kampionate. Tifozët më dhanë shumë dashuri dhe më mirëpritën. Ata e dinin se nuk do të qëndroja gjatë, por në fund qëndrova për tre sezone dhe kjo nuk ishte pjesë e planit tim.
Jam pak i zhgënjyer që nuk do të marrë pjesë në “Champions League, te Tirana më donin prapë. Por unë mendoj se është koha e duhur për të bërë një hap të rëndësishëm në karrierë për veten time dhe njerëzit që më shohin”, ka thënë Ngo. /Sport Ekspres/