Nga Klaudio Ndreca
Mes futbollistëve të shumtë shqiptarë dhe me vlera të mëdha që luajnë te Lokomotiva e Zagrebit është edhe Jon Mersinaj. Një mbrojtës kyç për trajnerin Tomiç, me këtë të fundit që e ka përdorur në të gjitha ndeshjet, duke i besuar përgjegjësinë lojtarit shqiptar.
Më herët ka qenë pjesë e Laçit duke lënë përshtypje të mirë te kurbinasit, për të hedhur një tjetër hap të rëndësishëm në karrierë. Gjithashtu Mersinaj ka marrë ftesën nga trajnerin Reja për dy ndeshjet miqësore të muajit mars, që u anulluan për shkakun e Koronavirusit. Në një intervistë për “Fan Zone”, mbrojtësi shqiptar ka treguar edhe emocionet e para të ftesës nga Kombëtarja.
“Ftesa nga Kombëtarja ishte emocion shumë i veçantë, më vjen keq që nuk munda që të grumbullohem. Gjithsesi do të vazhdoj të punoj më fortë që të marrë sërish një tjetër ftesë dhe të tregojë vlerat e mia me Shqipërinë. Unë jetoj me Enis Cokajn këtu, kalojmë bashkë kohën me të gjithë shqiptarët e tjerë.
Kam kaluar një eksperiencë shumë të mirë te Laçi dhe ia ka vlejtur, pasi ndryshe nuk mund të arrija dot këtu ku jam sot. Të pranoja një ofertë nga Partizani? Pse jo!
Ne këtu te Lokomotiva jemi të gjithë bashkë dhe nuk ndahemi shqiptarët dhe boshnjakët veç. Ky është sekreti ynë dhe shpresojmë që të kapim vendin e dytë. Dje kemi nisur stërvitjen me grup të plotë. Unë si idhull kam Thiago Silvën që kur ishte te Milani, më ka pëlqyer gjithmonë”, tha Mersinaj. /Sport Ekspres/