Prishtina ka arritur të fitojë me rezultatin 2-1 në përballjen ndaj Gjilanit, vetëm në minutat e fundit të takimit. Një fillim aspak i mirë i kryeqytetasve, pavarësisht kësaj fitore të marrë në debutimin e trajnerit Armend Dallku. Gjithashtu për t’u theksuar është fakti se “Plisat” kanë dalë kundër ekipit prej disa kohësh, për pjesën e menaxhimit të klubit.
Presidenti i Prishtinës, Remzi Ejupi, është shprehur se dikush fshihet mbrapa këtyre tifozëve. Këta të fundit edhe banerin e vendosur në stadium e kishin përmbys, në shenjë proteste dhe revolte. Ndërkohë nëpërmjet një postimi në “Facebook”, vjen edhe një përgjigje kundër këtyre akuzave, duke theksuar se prapa “Plisave” nuk ndodhet askush. /Sport Ekspres/
Reagimi i plotë
Për shkak të shumë pyetjeve dhe ‘shqetësimeve’ të disave në lidhje me transparentin e Plisave të kthyer mbrapsht sonte në ndeshjen kundër Gjilanit, deshëm me t’ju informonim se ajo nuk ishte gabim, por me qëllim. Prandaj edhe u mbajt gjatë gjithë ndeshjes.
Plisat janë në protestë dhe të pakënaqur me gjendjen në klub. Për atë arsye transparenti i kthyer mbrapsht në kuptimin e flamujve tregon pakënaqesi dhe protestë.
Ne mundemi ta bojkotojmë ndeshjen, por lojtaret tanë kanë nevojë për përkrahje.
Tjetër herë gjërat ejani kuptoni në stadium, jo në facebook.
P.s. I bëjmë me dije kryesisë së Prishtinës, se prapa Plisave nuk është askush sic po pretendojnë ata, prapa Prishtinës janë Plisat, e ju duhet të punoni sinqerisht për Prishtinën në mënyrë që mos t’i keni Plisat kundër.