Zgjedhjet në Federatën Shqiptare të Futbollit kanë nisur me polemika e akuza, ndërsa është evidentuar fakti që shoqatat e futbollit amator nuk janë të regjistruara në gjykatë, edhe pse votojnë rregullisht në zgjedhjet e kreut të federatës.
Kjo ka detyruar FSHF-në të dalë sot me një qëndrim zyrtar në lidhje me këtë çështje, duke sqaruar se gjithë shoqatat nën akuzë janë pjesë e futbollit prej 20 vitesh dhe regjistrimi në gjykatë nuk ndryshon asgjë në lidhje me funksionin e tyre real dhe punën që kryejnë me futbollin amator.
“Federata Shqiptare e Futbollit ka 66 anëtarë të cilët në bazë të statutit mund të jenë Klube futbolli ose subjekte të cilat përfaqësojnë grupe të caktuara profesionesh apo rajone të caktuara gjeografike.
Ky numër aktual anëtarësh është vendosur me ndryshimet statutore të miratuara nga Asambleja e Përgjithshme e FSHF në mbledhjet e datës 26.04.2011, 28.02.2013, 28.02.2014 dhe 19.03.2015. Përmes këtyre vendimarrjeve unanime, Asambleja e Përgjithshme si autoriteti më i lartë i FSHF, në përputhje me tagrat që i jep Neni 23/m. i Statutit ka definuar listën e plotë të anëtarëve të Federatës, listë e cila nuk është kontestuar as përmes mjeteve statutore, as përmes ankimimeve gjyqësore.
Formalizimi i anëtarësisë është diskutuar në mënyrë shteruese më specifikisht në asamblenë e datës 28.02.2013, ku është bërë një fotografim i situatës së atëhershme duke u pranuar unanimisht përfshirja e të 66 anëtarëve pjesmarrës në asamble. Nga pikëpamja e organizimit të brendshëm të Federatës Shqiptare të Futbollit, vendimarrja e Asamblesë së Përgjithshme përbën legjitimimin e të gjithë anëtarëve në formacioni aktual. Ky vullnet është ligjëruar sakaq edhe përmes vendimeve gjyqësore që kanë regjistruar në regjistrin e OJF-ve, vendimarrjet e asamblesë.
Rezulton se vullneti i anëtarëve themelues të këtyre shoqatave është shprehur përpara noterit publik shumë kohë përpara se kjo të ishte objekt kontestimi, duke ekzistuar qysh nga viti 2011, statute, akte themelimi dhe evidenca të depozitimit prane regjistrit përkatës të gjykatës. Vendimi i gjykatës ka më tepër efekt publicitar ose deklarativ dhe nuk e prek kurrësesi për mbarëvajtjen e aktivitetit të FSHF.
Së fundmi, vlen të theksohet se këto entitete nuk janë “fantazëm” siç po përflitet rëndom në disa media por kanë mbi 20 vjet që ushtrojnë aktivitet dhe përfaqësojnë realisht pjesën më të madhe të futbollit të luajtur, që është ai amator. Ato organizojnë aktivitete në rang qarqesh dhe madje kanë edhe ekipe përfaqësuese që ndeshen midis tyre ku janë 18 ekipe përfaqësuese rajonale me 360 lojtarë dhe 48 ndeshje në sezon. Këto shoqata kanë një aktivitet të ngjeshur në seleksionimin e lojtarëve të rinj ku vetëm në periudhën Nëntor-Dhjetor 2017 janë seleksionuar 2264 lojtarë të rinj. Aktualisht janë 605 ekipe rajonale me 13.310 lojtarë të cilët zhvillojnë rreth 4840 ndeshje në sezon. Shoqatat Rajonale kanë në krye figura të nderuara të futbollit shqiptar, integriteti i të cilëve nuk mund të vihet në dyshim për interesa momentale”.