Federata Shqiptare e Futbollit ka dalë me një tjetër deklaratë zyrtare sot, në lidhje me çështjen e ekstradimit të Ismail Morinës drejt Serbisë, lajm që ka ngjallur reagime të forta në Shqipëri dhe ka vënë në lëvizje federatën dhe qeverinë.
FSHF ka shpjeguar gjithë hapat që po ndërmerren për këtë çështje, duke garantuar impenjim maksimal për të ndihmuar Morinën, ndërkohë që ka kërkuar qetësi e maturi deri në zgjidhjen e çështjes.
DEKLARATA – “Çështjen e Ismail Morinës Federata po e ndjek me kujdes. Është një çështje që ka ngarë gjithë opinionin publik dhe tifozerinë shqiptare, siç u pa edhe nga protesta që u zhvillua para dy ditësh nga një grupim tifozësh. Me këtë rast, ne duam t’i sigurojmë të gjithë se ne si institucion sportiv po ndjekim të gjitha hapat e nevojshme që të zgjidhet sa më shpejt. Por duhet pasur parasysh që kjo ka edhe hapat e saj ligjorë që ne duhet t’i ndjekim. Presidenti Duka është në komunikim të vazhdueshëm me kryeministrin Rama, i cili nga ana e tij ka kontaktuar me homologun e tij kroat mbi këtë çështje. Kemi qenë në kontakt me familjarët e Ismail Morinës, kemi qenë në kontakt me avokatin e tij dhe vazhdojmë ta ndjekim situatën nga afër. Kryeministri ka garantuar se po bën përpjekjet maksimale që Ismail Morina të lirohet sa më shpejt. Nga ky moment ne kemi dërguar dikë në Kroaci dhe është në kontakt me avokatin e Morinës, me familjarët e tij, por edhe me persona të tjerë të sektorit juridik në Kroaci. NE do të njoftojmë për çdo zhvillim. Nga ana jonë ka gjithë asistencën, deri ku na lejon ligjim që ta mbyllim sa më shpejt këtë çështje. Duhet pjekuri dhe maturi nga të gjithë, pasi protestat nuk janë zgjidhja e duhur në këtë moment”.