FSHF organizon mbrëmjen e veçantë me 70 vullnetarë. Presidenti Duka: Faleminderit për shërbimin që i bëni futbollit dhe shoqërisë shqiptare

Federata e Futbollit organizoi një event shumë të veçantë që iu kushtua të gjithë djemve e vajzave vullnetare që janë pjesë e rrjetit të vullnetarëve të FSHF-së.

 

Rreth 70 vullnetarë ishin pjesë e këtij aktiviteti special të organizuar në stadiumin “Arena Kombëtare”, ndërsa pjesë e këtij rrjeti janë mbi 100 vullnetarë, të cilët me punën e tyre të palodhur janë një vlerë e shtuar e institucionit të futbollit shqiptar, duke ndihmuar në realizimin e suksseshëm të aktiviteteve të ndryshme të organizuara nga Federata, me karakter Kombëtar e ndërkombëtar.

 

Për të respektuar punën e tyre dhe për t’i falënderuar nga afër, në eventin e veçantë mori pjesë edhe Presidenti i FSHF-së, Armand Duka. Në fjalën e tij përshëndetëse, ai i falëndëroi për kontributin e tyre të veçantë dhe për shërbimin që i bëjnë shoqërisë dhe futbollit shqiptar.

 

“Është një ditë e veçantë dhe për mua shumë e bukur që jam pjesë e këtij aktiviteti, ku duam t’ju shprehim mirënjohjen dhe t’ju falënderojmë secilin nga ju që jeni në këtë sallë dhe të gjithë ata që kanë qenë pjesë e kësaj nisme dhe vullnetarizmit për organizimet që bën FSHF.

 

Nëpërmjet pranimit të ftesës nga ana juaj ne jemi bërë insitucioni i parë në Shqipëri që kemi një grup vullnetarësh të organizuar. E kemi filluar me finalen e Conference League, me vullnetarë nga e gjithë Shqipëria dhe ka pasur edhe nga bota. Sot kemi një grup të konsoliduar që kontribuojnë në organizimet që bën FSHF.

Është një sakrificë nga ana juaj, por besoj se është edhe kënaqësi për atë që ju merrni. Sepse ju shihni atë që ju i shërbeni jo vetëm futbollit, por edhe shoqërisë shqiptare. Dua t’ju falënderoj shumë dhe ju inkurajoj që të vazhdoni ta bëni këtë gjë.

 

Jo thjesht për kontributin tuaj në organizimet tona, por edhe për mesazhet që jepni, për solidaritetin dhe emancipimin e shoqërisë. Falënderoj edhe administratën e FSHF-së, Edlirën, e cila ka qenë iniciatore dhe e kuron këtë marrëdhënie dhe e ka me shumë kujdes këtë gjë.

 

Është një rast i mirë për të shkëmbyer edhe mendime për punët që ne bëjmë. Do marrim opinionet tuaja për atë çka mund të përmirësojmë të gjithë bashkë. Duke qenë se jemi edhe në prag festash, ju uroj edhe Gëzuar Festat dhe vitin e ri 2025. Faleminderit”.

Edhe disa nga vullnetarët mbajtën një fjalë përshëndetëse gjatë këtij aktiviteti. Tre prej tyre janë bërë pjesë e administratës së FSHF-së, duke punuar në tre departmante të ndryshme, teksa një pjesë tjetër është angazhuar edhe në programin e internshipit që ofron Federata. Vullnetarët u shprehën të kënaqur për mundësinë e dhënë dhe për mbështetjen e dhënë nga institucioni i futbollit.