FSHF kundër Braçes: Të procedohet!

Historia e çakmakut të Erjon Braçes që fluturoi drejt arbitrit të ndeshjes Partizani-Skënderbeu mori përmasa shumë më të mëdha nga sa pritej, edhe për faktin se arbitri Koçi është shfaqur në media, duke shkelur edhe rregulloren, për të dhënë intervista që në fakt nuk i lejohen.

Sot ka ardhur edhe reagimi që nuk i takonte Koçit, por FSHF-së, sepse sekretari i përgjithshëm i qeverisë së futbollit shqiptar, Ilir Shulku, i është drejtuar me një letër Byrosë së Kuvendit të Shqipërisë, si dhe Komisionit të Shqyrtimit të Kundërvajtjes pranë Policisë së Shtetit.

Në letër dënohet veprimi i deputetit Braçe në ndeshjen e luajtur pak ditë më parë, evidentohet fakti që sende të tilla si çakmaku as që duhet të hyjnë në stadiume në bazë të rregullores dhe kërkohet nga Komisioni i Shqyrtimit të Kundërvajtjes pranë Policisë së Shtetit procedimi administrativ ndaj deputetit Erion Braçe.

LETRA E PLOTË

Lënda:          Ankesë

Drejtuar:  Byrosë së Kuvendit të Shqipërisë;

           Komisionit të Shqyrtimit të Kundërvajtjes pranë Policisë së Shtetit;

          

Të nderuar zotërinj,

Marrim shkas nga ngjarja e ditës së hënë datë 23.04.2018, kur deputeti socialist z.Erion Braçe, kreu një gjest të shëmtuar në shkallët e stadiumit, duke tentuar të godasë me sende të ndaluara zyrtarët e ndeshjes Partizani – Skënderbeu.

Së pari, veprime të tilla antisportive, vijnë në kundërshtim me parimet e përgjithshme të etikës të parashikuara nga Kodit të Sjelljes së Deputetëve të Republikës së Shqipërisë, pasi nuk e bëjnë deputetin një model për qytetarët dhe nuk nxisin zbatimin e standardeve më të larta të sjelljes për të rinjtë.

Së dyti, çakmaku përbën një send të palejuar në mjediset sportive sipas nenit 49 të Ligjit 79/2017 “Për Sportin” dhe konform nenit 55 të këtij ligji, shkelja e dispozitës së sipërcituar përbën kundërvajtje administrative dhe dënohet me gjobë nga dhjetëmijë deri në pesëdhjetëmijë lekë e cila vendoset nga Komisioni i Shqyrtimit të Kundërvajtjeve Administrative pranë komisariatit të policisë vendore.

Federata Shqiptare e Futbollit, si organi kompetent për organizimin e sportit të futbollit në vend, ka për detyrë të marrë masa për parandalimin e dhunës duke promovuar sportin e pastër dhe tolerancën. Në këtë kuptim sjellja e deputetit është publikisht e dënueshme dhe kërkojmë të mbahet parasysh nga Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin në kuadër të vlerësimit të plotë të standardeve etike të miratuara dhe për ndikimin që këto standarde kanë pasur në punën politike të deputetit.

Rasti i deputetit Braçe nuk është i izoluar, kujtojmë se edhe në të shkuarën, deputetë të të gjitha forcave politike kanë shkaktuar incidente të panevojshme në shkallët e stadiumeve, duke i kthyer ato në “kredit” politik.

Bazuar në sa më sipër, kërkojmë nga Komisionit të Shqyrtimit të Kundërvajtjes pranë Policisë së Shtetit, procedimin administrativ ndaj deputetit Erion Braçe.

Me konsideratë

Sekretari i Përgjithshëm

Ilir Shulku

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *