Si zakonisht, në Shqipëri kemi shumë qejf të zbulojmë si janë rregulluar ndeshjet dhe zakonisht i gjejmë… kur kanë përfunduar.
Edhe fundjavën e shkuar në Kategorinë e Parë nisën thashethemet për Bylis-Pogradeci 3-3 dhe Besa-Egnatia 1-5. Natyrisht, çdo surprizë duhet ta ketë një shpjegim, apo jo? Në Shqipëri shpjegimi është i thjeshtë: trukim! Pa fakte, pa ndonjë provë reale, pa kuotim në tregun e basteve, pa ndonjë arsye logjike (pse t’i dhurojë pikë Bylisi Pogradecit e pse Besa t’i hapë ‘shalët’ Egnatias, këtë me siguri e dinë ata që bëjnë profetin kur mbaron ndeshja).
Gjithsesi, kaq ka mjaftuar që Federata Shqiptare e Futbollit të frikësohet dhe për pasojë të premten nuk do të luhet asnjë ndeshje në Kategorinë e Parë. Të shtunën do të transmetohet në RTSH ndeshja Tirana-Bylis, ndërsa të dielën Kastrioti-Besëlidhja, dy ndeshje mjaft interesante.
Gjithsesi, FSHF dhe gjithkush që aludon se të premten ka shanse manipulimi për baste, duhet të ketë të qartë diçka: ndeshjet e Kategorisë së Parë nuk trukohen për baste (nuk kuotohen askund në botë), por për mungesë ndershmërie të klubeve, për lojra të pista kur njëra skuadër është në hall dhe tjetra luan për qejf, situatë e verifikuar shpesh në pranverë, sepse e tillë është skema e Kategorisë së Parë, me 20 ekipe, ku të paktën 10-11 ekipe tallen pas marsit. E premte apo e shtunë, baste apo jo, Kategoria e Parë do na dhurojë plot ndeshje për të vjellë, sepse kështu jemi gatuar, Fair-Play është fjalë e pistë për ne.