Shqipëria shfaqi sinjale pozitive në ndeshjen e djeshme kundër Kazakistanit, të cilën e fitoi me shfrat 3-1 dhe duke dominuar në lojë. Por përpara e pret “finalja” me Bjellorusinë, ku varet fati i kryesuesit të grupit. Motivimi për këtë sfidë duhet të jetë i lartë dhe për të rritur edhe më tepër besimin dhe moralin e lojtarëve kuqezi ka menduar një legjendë e Kombëtares si Altin Lala.
Në një video mesazh për FSHF-në, Lala përcjell vlerësime për fitoren me Kazakistanin, ndërsa më pas nuk nguron t’i japë motivimin e duhur për të thyer edhe Bjellorusinë. Sipas Lalës djemtë e udhëhequr nga Edi Reja duhet të hyjnë në “Air Albania” me seriozitet dhe të japin maksimumin, pasi vetëm kështu mund të dalin me kokën lart nga stadium.
“Ndeshja me Kazakistanin për mendimin tim ishte një ndeshje jashtëzakonisht e mirë për vetë faktin që edhe skuadra kishte një farë presioni për ta fituar këtë sfidë, por dhe ndeshjen e ardhshme ndaj Bjellorusisë, që është dueli më i rëndësishëm i këtij grupi, për të zënë vendin e parë në renditje.
Kështu që ishte ndeshje shumë e fortë, me shumë duele, mendoj që djemtë u paraqitën mjaft mirë sidomos në pjesën e parë, ku shënuan edhe dy gola. Pjesa e dytë natyrisht ishte po ashtu e vështirë, me shumë dyluftime, e kontrolluam sërish lojën dhe mendoj se ishte një fitore e merituar.
Sigurisht ndeshja me Bjellorusinë është vendimtare. Edhe bjellorusët luajnë pak a shumë ngjashëm me ne si Kazakistani ndaj shpresoj që djemtë të jenë të frymëzuar, aq më tepër dhe shumë të motivuar për të zënë vendin e parë në grup dhe uroj që ndeshjen ta fitojmë.
Mesazhi im është që secili nga ata djem që do të jetë në fushë dhe jashtë fushe të japë gjithçka për ta fituar këtë sfidë të fundit. Duhet të futemi me seriozitet në këtë sfidë dhe mendoj që nëse çdo lojtar jep maksimumin e vet, unë jam i bindur që ne kemi kualitetet e duhura për ta fituar edhe këtë ndeshje. Suksese dhe me një fitore!”, ka thënë Altin Lala./Halit Delibashi-Sport Ekspres/