Frymëzohen para finales me fjalët e Mitrush Kutelit, ekipi shqiptar në Suedi 90 minuta larg historisë

FC Iliria Stockholm lufton në ditën e sotme për të shkruar historinë. Ekipi shqiptar që na përfaqëson futbollin suedez dhe drejtohet nga trajneri Salih Shala, është krijuar para 4 viteve.

Megjithëse në futbollin ku ata luajnë, janë 8 divizione, e nisën nga më i ulëti për të mbërritur tek divizioni i pestë i Suedisë. Në ditën e sotme kjo skuadër është vetëm një pikë larg ngjitjes në divizionin e katërt të futbollit suedez që do të ishte historike për shqiptarët.

Një klub që krijohet në një kohë kaq të shkurtër dhe arrin deri këtu, pavarësisht problemeve ekonomike të ndjeshme, në krahasim me ekipet e tjera konkurruese. Iliria Stockholm do të luajë një përballje direkte ndaj vendit të dytë MFF në orën 14:00, ndërsa ndodhet 4 pikë para tyre kur kanë mbetur edhe 2 ndeshje.

Pra mjafton fakti që kundërshtari të mos fitojë dhe arrihet menjëherë në ligën e katërt të Suedisë. “Sport Ekspres” mëson se për t’u motivuar lojtarët do të përdoren disa rreshta të shkëlqyera nga Mitrush Kuteli. Ky ritual ka vazhduar prej kohësh, me trajnerin Shala që i jepte lojtarëve më shumë frymë patriotike duke i vendosur recitime para ndeshjes nga Reshat Arbana, Ilir Shaqiri e shumë të tjerë të kësaj natyre. /Sport Ekspres/