Nga Klaudio Ndreca
Në ditën e sotme mediat italiane i kanë dhënë një jehonë të madhe faktit që UEFA është shumë e irrituar me atë që po ndodhë për vazhdimin e Serisë A dhe kërcënohet me largimin e të gjithë skuadrave italiane nga Europa. Përtej faktit që nuk ka ende një datë zyrtare për rifillimin e kampionatit, rregulli që në këtë vend kanë ndryshuar nga protokolli i paraqitur nga ana e UEFA-s, lë vend për shumë diskutime.
Bëhet fjalë për ndryshimin ku në Itali nëse do të dalë një lojtar pozitiv nga Koronavirusi, atëherë do të karantinohet i gjithë ekipi për 14 ditë. Pra e thënë ndryshe, do të kemi një anulim të garës. Kjo pasi e gjithë skuadra do të tërhiqej nga kampionati dhe duke futur këtu edhe dy javë të tjera stërvitje që i njëjti ekip që do të karantinohet kërkon për ardhjen në formë, e bën të pamundur që të mbyll kampionatin brenda korrikut.
Kjo lë vend edhe hile dhe mashtrime që mund të vijnë nga skuadra që i intereson mbyllja e kampionatit në tavolinë. Nëse një prej tyre do të mashtronte për një rast pozitiv dhe mbyllte në përsosmëri dokumentat që një gjë e tillë të mos kuptohej, atëherë do të përkëthehej automatikisht në mbyllje të kampionatit. Ky nuk është një skenar që shkon edhe shumë përtej fantazisë, pasi mund të përdoret lehtësisht nga ekipe që janë në vendin e parë, por edhe ato që dëshirojnë mbylljen sa më parë të sezonit dhe nuk kanë më asnjë objektiv apo motivim për të vazhduar, por mund të prishin garën.
Në Shqipëri sa i përket protokolli ekziston rregulli si në pjesën dërrmuese të Europës: “Nëse një lojtar rezulton pozitiv, atëherë karantinohet lojtari dhe jo gjithë ekipi”. Sigurisht duke i bërë tampona të gjithë lojtarëve dhe kontaktit të afërt, por tashmë fuqia e përcjelljes së virusit ka rënë ndjeshëm dhe një person nuk mund të infektojë të gjithë grupin. E parë në këtë mënyrë, jo më kot është vendosur rregulli i UEFA në protokoll për të evituar të gjitha këto prapaskena. /Sport Ekspres/