“Franca mund të fitonte Botërorin me Benzeman, por unë nuk do ta ktheja”! Rasti i Armando Brojës i ngjashëm me francezin, ja se çfarë tha Kapelo

UEFA ka ndryshuar rregullat sa i përket lojtarëve që mund të thirreshin në një eveniment të rëndësishëm si Europiani. Në fakt, vetëm 23 lojtarë mund të grumbullohet në një turne të tillë. Por për shkak të COVID 19, numri u rrit në 26 lojtarë, për shkak të problemeve të shtuara me shëndetin e lojtarëve. Ky favor për Kombëtaret do të hiqet, në Europianin e Gjermanisë është konfirmuar nga mediat britanike se do të thirren vetëm 23 futbollistë. Por sa rrezikojnë Marash Kumbulla dhe Armando Broja për të qenë pjesë e kësaj liste? Marash Kumbulla mund të shkëmbejë vendin me Frederik Veselin, një aspekt logjik, duke qenë se Veseli është i vetmi mbrojtës që nuk është përdorur deri tani. Por çështja e Brojës është disi më e vështirë. Të gjithë e dimë se Broja është sulmuesi i nivelit tjetër dhe ndoshta më i miri që ka pasur ndonjëherë Kombëtarja. (Shiko videon e plotë të emisionit Koha Shtesë më poshtë)

Por ky sulmues duhet të lërë dikë mes Mucit, Uzunit, Mujës, Asanit, Seferit, Cikalleshit ose Dakut në shtëpi. Sa e vështirë do të jetë për Silvinjon që t’i shpjegojë njërit prej këtyre sulmuesve që kanë dhënë kontribut te Shqipëria për shkak se Armando Broja, i cili për shkak dëmtimi nuk ka luajtur asnjë nga ndeshjet kualifikueset, duhet të gjendet në listë? Cila do të jetë zgjedhja e Silvinjos dhe a do të ketë drama të njëjta si në rastin e Gjimshitit në Francë? Një histori e re do të fillojë së shpejti, arritja në Europian dhe kaq shumë lojtarë sjellin edhe dhimbje koke.

Rasti i Brojës është deri diku i ngjashëm me të Benzema. Në Botërorin e fundit, Benzema u dëmtua dhe nuk mundi dot që të luante në fazën e grupeve. Në finale u diskutua shumë për rikthimin e tij, por trajneri vendosi që ta linte jashtë. E teksa Deshmap u kryqëzua, Capelo u shpreh: “Shikoni, me Benzeman finalja mund të fitohej, por edhe nëse unë do të isha trajneri i Francës, nuk do ta ktheja, grupi fitues nuk preket”. Për Shqipërinë pjesëmarrja në Europian, në bazë të historisë, është si të ketë shkuar në finale dhe çdo ndeshje do të përjetohet si e tillë. Duke pasur parasysh që kemi kaluar vetëm dy herë në këtë turne, për dikë prej lojtarëve që do të ngelë jashtë për t’i hapur vendin Brojës, ndoshta nuk do të ketë mundësi për ta provuar sërish në karrierë arritjen në Europian. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *