Sot pasdite, prej orës 16.00, Uruguai e Franca përballen në sfidën e parë çerekfinale për Kupën e Botës. Sfidë delikate, mes dy skuadrash që kanë shkëlqyer deri tani dhe duan t’i shkojnë deri në fund kompeticionit.
Franca mundi Argjentinën në turin e shkuar dhe sot luan kundër një mallkimi, sepse nuk e ka mundur kurrë Uruguain në Kupën e Botës dhe në shekullin e ri as që ka shënuar fare në portën e amerikano-jugorëve në 5 përballje miqësore apo për Kupën e Botës.
Ndërkaq, Uruguai shkëlqeu ndaj Portugalisë, por në atë takim humbi sulmuesin kryesor Kavani për dëmtim dhe ylli i PSG-së me shumë gjasa do ta nisë nga stoli sot, i zëvendësuar nga Stuani. Natyrisht, një problem madhor për Tabarez, sepse pa Kavanin Uruguai humbet forcë sulmuese dhe vetëbesim.
Edhe Franca ka një problem formacioni, sepse mesfushori Matuidi do të mungojë për pezullim. Në vend të tij mund të luajë Fekir, edhe pse duket me rrezik të luajturit në mënyrë kaq ofensive me Uruguain.