Argjentina vuajti për të kaluar fazën e grupeve, por historia mëson se shpesh kombëtaret që vuajnë shkojnë shumë larg kur kalojnë grupet. Edhe vetë Franca në 2006 pati të njëjtin rrugëtim, pas një fillim mbushur me polemika e sherre brenda ekipit.
Për këtë arsye, Franca e ka frikë Argjentinën, që ka eksperiencë, dinakëri, forcë dhe ka Mesin.
Pikërisht ylli i Barcelonës është i vetmi që i bën ballë Francës në aspektin teknik, por trajneri francez Didjë Deshamp ka frikë nga mungesa e eksperiencës në skuadrën e tij.
“Është e vërtetë që deri tani nuk kemi bërë gjëra të mëdha, por nuk duhet të harrojmë që 14 nga lojtarët e mi e kanë për herë të parë pjesëmarrjen në Kupën e Botës. Nuk është justifikim, në asnjë mënyrë, por duhet pak durim për të gjykuar të rinjtë tanë”.
Kur bëhet fjalë për betejë, qoftë edhe fizike e psikologjike, Argjentina duket më e përgatitur, por Deshamp nuk shqetësohet: “Disa sjellje janë pjesë e lojës. E njohim temperamentin e skuadrave amerikano-jugore, mbështetja e tifozerisë i motivon në maksimum, janë luftëtarë, por nuk besoj se do ndodhin gjëra të papranueshme. Do të ketë duele, përplasje, goditje të ashpra, por gjithçka brenda kufijve. Është një lloj futbolli që e kemi hasur edhe më parë. Sa për ofendime, pak nga lojtarët e mi kuptojnë spanjisht, ndaj nuk ka problem”.
Po Mesi? “Do të mundohemi ta kufizojmë në varësi të zonës së fushës ku do ndodhet, edhe pse ai ka nevojë vetëm për pak hapësirë, për t’u bërë vendimtar. Mund të them që u kemi dhënë gjithë informacionet e nevojshme lojtarëve tanë dhe do marrim masa. Të shohim a do funksionojnë”.
“Mesi për Argjentinën si Ronaldo për Brazilin në 1998? Po, në një farë mënyre, sepse edhe amësisë është po aq i rëndësishëm për Argjentinën sa Ronaldo ishte për Brazilin në atë kohë”.
Grizman është përgjigja ndaj Mesit? “Është e vërtetë që e ka nisur ngadalë Botërorin, por është duke u rritur. Për ambiciet tona, kemi nevojë për një Grizman në maksimum dhe po bëjmë gjithçka që ta ndihmojmë”.
Deshamp pritet të konfirmojë formacionin që mundi Perunë, me skemë 4-2-3-1, me Loris in porta, Pavard-Umtiti-Varane-Hernandez në mbrojtje, Pogba e Kanté në mesfushë dhe treshen Mbapé-Grizman-Matuidi pas sulmuesit kryesor Zhiru.