(FOTOT) Ultrasit e kuq tërbohen pas humbjes: Juliano ik!

Ultras Guerrils u prezantuan 300 në stadium dhe u vendosën në sektorin e përhershëm të tyre. Flakadanë, por edhe rrëmujë. Në fund, shqyejnë kangjellat dhe tentojnë të futen në fushë: “Jepeni zemren si ne dhe nuk do ketë kundërshtar t’ju përballojë”

Leonard Trebicka

Sa herë mbërrijnë në Korçë për të mbështetur skuadrën e tyre të zemrës, aq herë tifozët e Partizanit sjellin edhe rrëmujë në stadiumin “Skënderbeu”. Këtë gjë kanë bërë edhe dje në mbrëmje në juglindje, rreth 300 tifozë që kishin udhëtuar nga Tirana në drejtim të Korçës për të mbështetur skuadrën e tyre të zemrës. Në fund, të mërzitur e të irrituar që akoma nuk po shikojnë Partizanin e vërtetë, “Guerrilsat” kanë arritur deri atje sa të shkulin edhe kangjellat e tribunës E dhe kanë dashur të futen në fushë, por fatmirësisht kanë qenë forcat e rendit pranë tyre që nuk lejuan pse jo edhe një “katrahurë” që mund të ndodhte nëse realisht do të futeshin në fushë.

Gjithçka ka ndodhur dje në mbrëmje në stadiumin “Skënderbeu”, por në fund ata që kanë ikur të mërzitur kanë qenë tifozët e kuq. Të lodhur nga rruga dhe të mërzitur nga humbja kanë shfryrë dufin me një megafon, ku thërrisnin me gjithë zemër: “Juliano IK”. Ky dedikim ishte për trajnerin, sepse në fund të fundit asnjë tifozeri nuk do ta pranonte që në tre javë kampionat të shikonin vetëm një pikë në renditje dhe më keq se kaq, të shikonin ekipin e tyre me asnjë gol të shënuar. “Ky nuk është Partizani ynë,” kanë qenë edhe thirrjet e tjera në kor nga ana e tifozerisë së Partizanit. Sakaq, statusi i tyre ka qenë:“Jepeni zemrën si këta djem dhe nuk do ketë kundërshtar t’ju përballojë …”

Mbërritja – Më shumë se dy orë përpara fillimit të ndeshjes, autobusët me tifozët e Partizanit filluan të zbarkonin në Korçë, ndërkohë që duhet theksuar se ka qenë një qetësi për t’u pasur zili dhe asnjë acarim mes dy tifozerive edhe për atë se 272 forcat e policisë që dje ishin caktuar për mbarëvajtjen e ndeshjes, i kishin marrë masat më së miri. Një orë përpara fillimit të takimit filloi edhe futja e tifozëve miq në stadium, teksa te dera hyrëse në tribunën E ka pasur shumë uniforma blu që kontrollonin tifozët dhe më pas lejoheshin që të vini në vendin e tyre. 30 minuta përpara startit të dy tifozeritë zunë vendet e tyre, ndërkohë që menjëherë kanë filluar me sharjet në adresë të njëri-tjetrit, si për të thënë se ndeshja do të ishte më shumë se e nxehtë. Sigurisht që tifozeria korçare dëgjohej më shumë edhe për atë se ishte më e madhe në numër, por jo më pak dëgjoheshin ata të Partizanit. Këtu fillon edhe ndeshja, pa diskutim për ta bërë më të bukur edhe me këta tifozë që dje ishin të shumtë në shkallët e stadiumit “Skënderbeu”.

Flakadan– Për t’u veçuar ka qenë minuta e 50-të, moment kur tifozët e Partizanit e kanë ndezur flakë tribunën E. Sigurisht, në këtë moment, për shkak edhe të natës që kishte rënë në Korçë, flakadanët dukeshin të shumtë dhe shumica e tyre hidheshin në pistë, ku dukej njësoj sikur skuadra e tyre kishte shënuar. Ndoshta duke pritur 50 minuta me pak raste për Partizanin, tifozët nuk duronin dot dhe i hodhën të gjitha që kishin futur në stadium. Fatmirësisht deri në këtë moment nuk ka pasur asnjë incident. Në të 89-ën, pas shënimit të golit të dytë të Skënderbeut, kanë qenë po këta tifozë që kanë shpërthyer në formën e një “tërbimi”, duke shqyer edhe kangjellat rrethuese. Në këtë moment uniformat blu fillojnë të shtojnë numrin e tyre në tribunën E dhe presin qoftë edhe një tifoz që të hidhet në pistë, para se të ndërhynin. Çuditërisht pasi i kanë shkulur askujt nuk ja ka mbajtur për ta bërë këtë veprim dhe vetëm sa kanë sharë e ofenduar në maksimum, ndërkohë që gurë të shumtë vijuan të hidhen në drejtim të ambulancës, e cila u detyrua që të largohej nga vendi ku ishte parkuar.

Thirrjet – Pas largimit të futbollistëve në dhomat e zhveshjes dhe pas kësaj humbjeje, më pas tifozët e Partizanit janë irrituar edhe më shumë duke thërritur në kor: “Juliano ik” dhe shumë fjali të tjera kundër trajnerit të tyre. Sigurisht që një gjë e tillë pritej edhe për atë se tifozët me të drejtë ja kanë faturuar këtë situatë aspak të mirë të skuadrës së tyre, trajnerit Juliano. Këto fjalë thërriteshin edhe me megafon dhe kjo tregon qartë se situata te Partizani nuk është ajo e duhura dhe ajo që pritej që përpara fillimit të sezonit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *