Nga Endri Cinari
Skuadrat e Superligës shqiptare po “ngrohin” motorët për startin e kampionatit në datën 11 shtator. Një kampionat si të gjithë ata të viteve të fundit pritet me rivalitet dhe një kureshtje të madhe. Lëvizjet në merkato kanë qenë të shumta si në dalje ashtu edhe në hyrje. Por po të shohim me vëmendje Superliga ka humbur shumë cilësi ku më poshtë do paraqesim formacionin e “yjeve” të larguar.
PORTA: Stivi Frashëri. Korçari pasi fitoi gjithçka me Teuten ka vendosur të largohet. Destinacioni i tij i rradhës është Ballkani në Kosovë. Në vlerat e merkatos, ai kap shifrën e 275 mijë eurove. Te durrsakët do kenë të vështirë ta zëvendësojnë. MBROTJA. Eneo Bitri ishte lideri i Partizanit në mbrojtje sezonin e kaluar, duke qenë edhe ndër më të dalluarit në Superligë, diçka e tillë ka bërë që Astana në Kazikistan ta marrë në ekip. Beratasi në merkato kap shifrën e 325 mijë eurove.
Gjurmët e Frashërit ka ndjekur edhe kolegu i tij tek Teuta, Rrustem Hoxha. Shtatlartin me vlerë 300 mijë euro do e shohim në Kosovë sezonin e ri me skuadrën e Ballkanit. Një vlerë e humbur e kampionatit. Mbrojtjen e kompleton djaloshi i ri mirditor, Albion Marku. Një “raketë” në korsinë e djathtë. Vlera në merkato është 350 mijë euro dhe në vijim do e shohim tek Lokomotiva e Zagrebit.
MESFUSHA. Rron Broja dhe Jurgen Bardhi ishin të dy titullarë të padiskutueshëm sezonin e kaluar tek Partizanit. Kosovarin do e gjejmë tek Drita e Gjilanit në sezonin 2021-22 dhe me 350 mijë eurot e vlerës që ka patjetër që nga ai pritet shumë. Po ashtu Bardhi që e ka filluar sezonin e ri me ekipin e Tuzlaspor në Turqi, ku edhe ka shënuar me po të njëjtën vlerë si Broja (350 mijë euro) është “xhevahir” i humbur tek të kuqtë.
Idriz Batha më në fund u largua nga kampionati shqiptar. Ish-kapiteni i Tiranes tashmë vijon karrierën në Rumani tek UTA Arad. Sezoni ka filluar shkëlqyeshëm për të ku ka qenë gjithmonë titullar dhe 400 mijë eurot vlerë e bëjnë një prej më të rëndësishmëve tek rumunët. Njeriu kryesor i titullit të Teutes sezonin e kaluar, Dejvi Bregu nuk do jetë më pjesë e kampionatit tonë. Vlonjati bëri hapin e rradhës duke u transferuar tek Boluspor në Turqi. Vlera prej 450 mijë eurove e ka “katapultuar” menjëherë si titullar i klubit turk.
SULMI: Partizani është klubi që ka “vuajtur” më shumë nga largimet. Këtë e vërtetojnë emrat në vijim. Erald Çinari ka vendosur që karrierën ta vijojë në Turqi me Samsunspor. Mëngjërashi shkodran u aktivizua në javën e parë të sezonit duke u bërë protagonist me 1 asist. Vlera e tij në merkato llogaritet 375 euro. Po ashtu mëngjërashi tjetër i “demave”, ose një ish-dem më mirë të themi, Jasir Asani do luajë në Hungari me Kisvarden, ku shkupjani është aktivizuar në vazhdimësi në këtë fillim sezoni. Po ashtu edhe ai kap një vlerë të lartë në treg me 425 mijë euro.
Sulmin dhe formacionin e kompleton Blerim Krasniqi. Kavajasi do jetë pjesë e Gjilanit në Kosovë dhe nga vlera e tij prej 300 mijë eurosh, Teuta nuk përfitoi asgjë. Një total në vlerë e 11-tshes së sipër pëmendur prej 3.9 milionë eurosh dhe një moshë mesatare prej 25.5 vjeç. Pra ku të gjithë mund të jepnin kontributin e tyre edhe për shumë vite në Superligë. Por patjetër ofertat shumë të mira ekonomike dhe dëshira për të provuar kampionate jashtë vendit i ka nxitur të largohen.
Për tifozë dhe specialistë është “e trishtë” kur lojtarë të tillë largohen e sidomos duke mos sjellë asnjë kacidhe për klubet shqiptare. Por me shpresën e një menaxhimi më të mirë në të ardhmen dhe daljen e elementëve të tillë po kaq cilësorë , i urojmë suksese të gjithë futbollistëve dhe klubeve shqiptare në sezonin e ri. /Sport Ekspres/