E dini kush është gjuajtësi më i mirë i 11-metërshave? Ai luan në La Liga, por nuk mban veshur as fanellën e Realit dhe as të Barcelonës. Riad Budebuz aktivizohet te Selta Vigo dhe është gjuajtësi më i saktë i 11-metërshave në “top 5” ligat më të mira në Evropë.
Marokeni numëron plot 21 penallti të marra përsipër, ku të gjitha i ka dërguar në fundin e rrjetës. Pas tij vjen një tjetër lojtar nga La Liga, i cili është Kristian Stuani. Ky i fundit luan për Gironën dhe ka shënuar plot 16 gola nga 16 11-metërsha që ka marrë përsipër.
Vendin e dytë, Stuani e ndan me Maks Kruzen, i cili ka të njëjtin rekord si uruguaiani. Gjermani aktivizohet në një ekip me Milot Rashicën, pra te Verder Bremen. I katërti është përsëri nga Bundesliga dhe ai është Nabil Bentaleb, mesfushori, i cili shënoi dy herë nga pika e bardhë një natë më parë ndaj Mançester Sitit.
Algjeriani ka marrë përsipër 14 penallti dhe të gjitha i ka shënuar. Për të parë një lojtar nga Premier Liga duhet të shkojmë në vendin e pestë, ku ndodhet Fabinjo. Shumica e goditjeve janë bërë kur ky i fundit ka luajtur te Monako, por gjithsesi Fabinjo ka shënuar plot 21 herë, nga 22 penallti që ka ekzekutuar.
Ndërsa, për të parë një lojtar nga Serie A, duhet të zbresim në vendin e nëntë, ku ndodhet Paulo Dibala, i cili ka shënuar 18 herë nga 20 raste. Argjentinasi ka gabuar dy herë nga pika e bardhë.