Foto/ Dinamo kuron imazhin dhe vishet me sponsorin e Kombëtares, prezantohen fanellat e reja

Pas një merkatoje të fuqishme dhe aktive, tashmë Dinamo mendon edhe për kurimin e imazhit. Klubi kryeqytetas ka një projekt për të ringritur edhe njëherë në këmbë atë që është një nga ekipet më të suksesshme të futbollit shqiptar, prandaj po punon në çdo detaj të mundshëm.

Kështu sezoni i ri vjen me fanella të reja. Dinamovitët prezantojnë uniformat e tyre të reja për kampionatin e ardhshëm të Kategorisë së Parë. E veçanta është në faktin se Dinamo tanimë do të vishet nga sponsori i Kombëtares kuqezi, “Macron”. Fanella për ndeshjet si pritës do të jetë blu dhe do të mbajë stemën e klubit në të majtë dhe logon e kompanisë në të djathtë, ndërsa jaka do të jetë e bardhë. Ndërkohë fanella për ndeshjet jashtë shtëpisë do të jetë e bardhë, ndërsa jaka me ngjyrë blu.

“FK Dinamo vishet me “Macron”. 18 herë kampionët e vendit kanë arritur marrëveshjen e bashkëpunimit me përfaqësuesin zyrtar në Tiranë të veshjeve sportive. Që prej sezonit 2020-2021, blutë do të prezantohen me një imazh ndryshe në fushën e lojës.

Kujtojmë se kompania italiane “Macron” prej disa vitesh ka një bashkëpunim të suksesshëm edhe me kombëtaren shqiptare të futbollit. Fanellat e reja të Dinamos, shumë shpejt do të jenë edhe në shitje për tifozët blu, pranë dyqaneve “Macron” në stadiumin “Air Albania” dhe “Ring Center””, shkruan klubi në faqen zyrtare. /Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *