Fosum rikthehet në Tiranë, këtë herë “ndryshe” dhe pa “Qemal Stafa”-n!

Ishte 9  korriku i vitit 2015 dhe Partizani rikthehej në Europë pas një mungese 6 vjeçare, teksa ndeshja e fundit kishte qenë ndaj Shiroki Brijeg në Kupën UEFA (dikur quhej ashtu, përpara se të merrte më pas emrin Europa League)… Mes entuziazmit dhe të madh dhe shortit me ekipin norvegjez Stromsgodset, sigurisht që pritej një arritje, por e tillë nuk ndodhi, pasi të kuqtë u eliminuan pas dy humbjesh të pësuar mes transfertës dhe shtëpisë.

Pikërisht në “Qemal Stafa” do të luhej ndeshja e kthimit, në një vapë të tmerrshme dhe ku në fushë, për vikinët, do të zbriste edhe një futbollist, në atë kohë premtues, por që ende nuk kishte hedhur hapin e madh. Edhe pse golat ndaj të kuqëve (dy fitore 3-1 dhe 1-0) do të shënoheshin nga shokët e tij të ekipit, pikërisht Iver Fosum do të binte në sy, aq sa Hanoveri pagoi 2 milionë euro për kartonin e tij, kur ishte ende 19-vjeç.

Në fakt, ishte vera  fundit për Fosum me ekipin e Stromsgodsetit, që vetëm pak kohë më parë kishte shitur Martin Odegard te Real Madridi për rreth 3 milionë euro. Një transferim i bujshëm, pasi Odegard ishte vetëm 16-vjeç në atë kohë… Pikërisht Fosum rikthehet në Shqipëri dhe, madje, pak hapa larg stadiumit që nuk është më…

Ndoshta Fosum mund të ketë pyetur veten: ku përfundoi ai stadium që luajti tre vjet më parë  në Europa League?! Ndoshta edhe jo, thjesht ka parë kullën dhe tribunat e ngritura të impiantit “Arena Kombëtare”, por fakti është që ai sot është pjesë e Norvegjisë së Lars Lagerbak dhe po luan prej tre sezonesh me Hanoverin dhe prej dy sezonesh në Bundesligë. Stërvitja e djeshme e ka parë në “Selman Stermasi”, ndërsa ndoshta në “Elbasan Arena”, në tunel, mund të kryqëzojë edhe Alban Hoxhën, por e sigurt është që nuk do ta mbajë mend…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *