“Sport Ekspres” ka zgjedhur formacionin më të mirë sa i përket javës së 16 në Superiore. Në të dallojmë të gjithë elementet që kanë bërë diferencën në këto përballje të fundit që janë luajtur në futbollin shqiptar. Në bazë të skemës së ndërtuar nga Oltijon Kërnaja shohim Taipin dhe Mazrekajn që janë të përfshirë në skemën 1-4-3-3.
Isli Hidi- Gjithmonë tregon cilësi përballë ekipeve kryesuese, duke mbajtur të paprekur portën.
Marku- Del fitimtar ne duelet me Ismajlgecin e Tiranës, shumë topa të luajtur ne krahun e tij, rrezik konstant!
Zhivanaj- Ndeshja e parë e tij në formacion dhe nuk zhgënjen, thuajse asnjë gabim. Mbulon mjaft mirë sulmuesin Dilaver, i cili nuk gjuan asnjëherë në portën e Kastriotit. I duhet besuar më shumë minuta.
Ignjatoviç– Përballë kishte sulmues të Kombëtares si Seferi-Muçi, por nuk humbi thuajse asnjë duel!
Hadroj- Bylis humbi ndaj Kukësit, por Hadroj ia vështirësoi punën Hallaçit gjatë 90′, sa në të majtë, sa në të djathtë, shtynte shumë, duke qenë rrezik konstant.
Mehmeti– Një ndeshje prej maratonomaku nga mesfushori i Kastriotit, me të drejtë mori komplimente nga trajneri Ndreu pas ndeshjes!
Taipi- Klas dhe cilësi në mesin e fushës gjatë 82 minutave lojë. Shume ide dhe kreativitet nga lojtari i Kukësit!
Shehu- i vendosur dhe me shumë personalitet, si në mbrojtje ashtu edhe në sulm. Mushkëria e këtij Laçi!
Mazrekaj– Klasi i përhershëm, forma e përkohëshme. Po tregon se po kthehet në atë lojtarin e frikshëm që njohim të gjithë. Gol për kartolinë!
Eze– Gol me vlerë 3 pikë, për të dalë nga ato rezultate negative që e kishin eklipsuar Kukësin.
Asani- I papërmbajtshëm në krahun e djathtë, shënon, por edhe shërben shumë për shokët.