Numërimi mbrapsht i ditëve ka nisur. Më 27 mars Shqipëria do të luajë ndeshjen e parë për këtë vit kalendarik. Vëmendja e të gjithë tifozëve shqiptarë do të jetë në Polonië, aty ku do të nisë ëndrra për një kualifikim në Euro 2024, por edhe kudo të nisë rrugëtimi i Silvinjos në krye të kuqezinjve. 3-5-2 i famshëm i Edi Rejës pritet t’i lërë vendin 4-2-3-1 të Silvinjos, nga i cili tifozët e Kombëtares shpresojnë të shohin “sambën” braziliane në lojën e Kombëtares.
Trajneri i Shqipërisë ka bërë zgjedhjet e tij për sa i përket listës së lojtarëve që ka grumbulluar për sfidën me Poloninë dhe tashmë dilemat mbeten për 11-shen që do të hedhë në fushë. Porta pritet t’i besohet Etrit Berishës. Duke qenë se si Straksha, ashtu edhe Berisha, janë pa minuta në këmbët e tyre, Silvinjo mund të zgjedhë t’i besoj portierit të Torinos, për vetë përvojën që ka, por edhe për pozicionin e kapitenit që mban në skuadër. Më tej krahët e mbrojtjes do të përbëhen nga Elseid Hysaj dhe Ivan Balliu. Të dy lojtarë formacioni në ekipet e tyre respektive, ku së fundmi po kalojnë një formë të mirë.
Ndërkohë Kumbulla është i vetmi i konfirmuar në qendër të mbrojtjes, ku përkrahë tij mund të jetë edhe surpriza e Silvinjos. Veseli duket i avantazhuar për të plotësuar 4-shen e prapavijës, por një alternativë mund të jetë edhe Klaus Gjasula. Këtë sezon “gladiatori“ shqiptar është preferuar nga Darmshtadti të luajë në pozicionin e qendërmbrojtësit, ku ka performuar mjaft mirë. Duke marrë parasysh shtatlartësinë e tij dhe karakterin lu.ftarak, Gjasula plotëson profilin e duhur për të qenë në zonë kundër shtatlartëve polakë.
Përpara mbrojtjes pritet të rreshtohen Asllani dhe Abrashi. Njëri ka grintën dhe muskujt e duhur për të thyer kundërshtarët, ndërsa tjetri fantazinë dhe klasin e duhur për të nisur Kombëtaren në kundërsulm. Ndërkohë 3-shja e avancuar e mesfushës pritet të përbëhet nga Uzuni në të djathë, Bajrami në rolin e mesfushorit të avancuar dhe Asani në krahun e majtë. Ish-lojtari i Partizanit pëlqehet nga Silvinjo dhe fakti që këmba e tij e fortë është e majta i jep një avantazh për të marrë një fanellë titullari kundër Polonisë.
Në balotazh me të mund të jetë edhe Anis Mehmeti, i cili po gëzon një formë të shkëlqyer në Angli. Sa i përket majës së sulmit, ajo do të përbëhet nga Sokol Cikalleshi. Kavajasi ka pasur një marrëdhënie të mirë me golin këtë sezon dhe e njeh mjaftueshën Kombëtaren polake, së cilës i shënoi në edicionin e kaluar në Varshavë. Ndoshta fati e do që diçka të tillë ta përsërisë edhe mbrëmjen e 27 marsit./Halit Delibashi-Sport Ekspres/
Formacioni i mundshëm i Shqipërisë: