Formacion miks në Kupë, Mezani mendon për Vlorën

Kurbinasit e kanë të sigurt kalimin në turin tjetër të Kupës së Shqipërisë dhe për nesër është menduar që të ruhen një pjesë e mirë e titullarëve 

Vladimir Prenga

Nga ndeshja në ndeshje Laçi po tregon se është një nga skuadrat më simpatike të Superiores me lojërat që po zhvillon dhe mbi të gjitha me rezultatet që po arrin. Edhe pse pjesa dërrmuese e lojtarëve janë të rinj në moshë, skuadra manifeston pjekuri në fushë, madje edhe ndaj kundërshtarëve më të fortë, siç ishte edhe rasti i Skënderbeut. Laçi fitoi 1-0 ndaj ekipit që konsiderohet më i miri i momentin në Shqipëri, që do të thotë se vendi i 5-të në klasifikim është plotësisht i merituar. Trajneri Gentian Mezani, duke e ditur shumë mirë se grupi i lojtarëve mund të pushtohet nga euforia, kërkon gjithmonë e më shumë nga lojtarët, edhe kur ata mundin Skënderbeun.

KUPA – Laçi luan të mërkurën ndeshjen e kthimit në Kupën e Shqipërisë me Lushnjën. Në stadiumin “Roza Haxhiu ka fituar thellë 1-3 dhe kualifikimi është në “xhep”, por trajneri vlonjat ka menduar të hedhë në fushë nesër një formacion miks, në mënyrë që t’i mbajë të tijtë në tonus. Kuptohet që disa nga lojtarët titullarë nuk ka pse të sakrifikohen në Kupën e Shqipërisë, kur në fundjavë luhet një transfertë shumë e vështirë, siç është ajo me Flamurtarin në Vlorë. Ndeshja e nesërme do të jetë edhe si një test i kurbinasve para ndeshjes me vlonjatët e vendit të dytë në kampionat.

DËNIMI – Me ndeshjen e nesërme të Kupës së Shqipërisë ndaj Lushnjës, Laçi shlyen edhe dënimin e fushës nga Komisioni i Disiplinës. Kurbinasit u dënuan me dy ndeshjes pas incidenteve që ndodhën në ndeshjen me Kukësin. Një ndeshje e shlyen ndaj Skënderbeut dhe tjetrën e shlyejnë nesër ndaj Lushnjës në kupë, kështu që ndeshjen e radhës në kampion atë, atë me Lushnjën, do ta luajnë me tifozë.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *