Tirana dhe Teuta po luajnë në këto momente finalen e Kupës së Shqipërisë. Në “Air Albania“ gjithçka është zhbllokuar shumë shpejt. Vetëm 1 minutë e 50 sekonda shënonte kronometri në momentin kur Rustem Hoxha kërcen në zonë dhe dërgon topin në rrjetë.
Por pak momente më pas nuk ka munguar as tensioni. Shkak ka qenë një goditje dënimi, që ka sjellë edhe debate në fushë, teksa Ngo shkakton faull ndaj njërit prej mbrojtësve kundërshtarë. Nëse nga Italia së fundi kemi parë shpesh herë nerva të acaruara mes trajnerëve, këtë herë një skenar i ngjashëm vjen edhe në Shqipëri.
Edi Martini i drejtohet Torasës, i cili është kthyer në “mollën e sherrit“, teksa më pas është Egbo ai që ndërhyn. “Fol me lojtarët e tu“, i thotë nigeriani trajnerit të Teutës, në një moment kur ka pasur tension në pankina. Megjithatë nervat kanë vazhduar edhe në fushë, ku Torasa dhe Todorovski kapen me njëri-tjetrin. “Do të sqarohemi në dhomat e zhveshjes”, është dëgjuar nga ana e lojtarëve gjatë atij acarimi të momentit./Halit Delibashi-Sport Ekspres/