Ditën e nesërme do të zvillohet një takim mes Presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Dukës, dhe Presidentëve të ekipeve që luajnë në Superiore. Ky takim do të organizohet në ambientet e FSHF-së, gjatë orës 11:00 dhe do të ketë si qëllim rritjen e kapaciteteve organizative dhe menaxheriale të ekipeve përmes procesit të licensimit. Gjithashtu, do të flitet edhe për një organizim dhe menaxhi më të mirë të akademive të klubeve të futbollit. Lajmi vjen nga vetë FSHF, që me një njoftim në faqen e saj zyrtare citon:
“Procesi i Licensimeve për sezonin 2020-2021 fillon zyrtarisht nesër, me takimin që Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, do të realizojë me të gjithë Presidentët e klubeve të Kategorisë Superiore. Procesi i Licensimit dhe rritja e kapaciteteve organizative dhe menaxheriale të klubeve, do të jetë fokusi i FSHF-së për sezonin e ardhshëm. Gjatë këtij sezoni, Federata Shqiptare e Futbollit në bashkëpunim me ekspertë të UEFA-s, do të organizojnë një seri trajnimesh, me qëllim rritjen e organizimit dhe menaxhimit nga klubet. Këto trajnime do të mbulojnë të gjithë aspektet organizative të një klubi futbolli, duke u fokusuar në menaxhimin dhe raportimin më të mirë financiar, shfrytëzimin e Marketingut dhe Marrëdhënieve Publike si një mjet për gjenerimin e të ardhurave, rregullimin e të gjithë aspekteve juridike dhe njohjen e gjithë rregulloreve disiplinore të UEFA-s dhe FIFA-s, sigurinë në stadiume dhe masat e nevojshme për organizimin e një ndeshjeje, si dhe shumë elementë të tjerë thelbësorë për një menaxhim cilësor dhe efikas.
Përtej anës organizative dhe menaxheriale, ky cikël trajnimesh do të përmbajë edhe elementë sportivë, siç është organizimi dhe menaxhimi efikas i akademive, si aseti më i madh që ka një klub futbolli. Kjo e lidhur edhe me vendimin më të fundit të marrë nga Komiteti Ekzekutiv i FSHF në lidhje me tarifën e kompensimit mbi trajnimin e të rinjve, një vendim shumë i rëndësishëm për zhvillimin dhe të ardhmen e çdo klubi futbolli në Shqipëri. Në këto trajnime që do të jenë të shtrira në të gjithë vitin do të marrin pjesë edhe ekspertë nga Federata homologe, të cilët do të japin eksperiencën më të mirë të vëndeve respektive nga vijnë për shumë prej pikave të këtij procesi jetik për futbollin tonë.” /Sport Ekspres/