“Sport Ekspres” raportoi pak kohë më parë se në derbin mes Tiranës dhe Partizanit do të kishte edhe një tifoz të veçantë. Bëhej fjalë për gazetarin gjerman, Hardy Grune, që kishte vizituar gjithë Shqipërinë dhe stadiumet tona, nga ekipet elitare dhe deri te ato në kategoritë më të ulëta.
Ndalesa e fundit do të ishte në Tiranë, për të parë derbin e Shqipërisë. Gjithashtu Grune do të shkruajë një libër për vendin tonë, ku do të ndalet edhe te futbolli. Por në Gjermani e ka dërguar raportin e parë sa i përket përshtypjes së marrë në derbi, duke e publikuar në mediat e këtij shteti.
Mes të tjerash, ajo që i ka bërë disi habi Grune, janë tifozët në Shqipëri. Më saktësisht sharjet e shumta për ekipin dhe tifozët kundërshtarë, që mesa duket në Gjermani nuk ekzistojnë, të paktën jo sipas Grunes, pa harruar edhe përdorjen e flakadanëve që në takime derbi, nuk kishte sesi të mungonin.
“Pak para fillimit të derbit stadium ishte mbushur. Të dy grupet e tifozëve nisën të këndonin koret e tyre. Të gjitha biletat ishin shitur dhe ishte qetë. Derisa tifozët nisën të pushtonin fushën dhe duhej ndërhyrja e policisë për t’i ndaluar.
Duke mbajtur flakadanë të ndezur, këndoheshin kore fyese dhe sharje në drejtim të Partizanit nga vendasit. Një derbi normal dukej në këtë vend ku fyerjet dhe flakadanët janë të zakonshëm. Kjo gjë nuk kuptohet dot shumë nga një tifoz i Bundesligës. Pastaj doli dhe se tifozët vendas kishin fshehur tre mjete shpërthyese në sektorin e tifozëve miq, që gjithsesi do të shkaktonin lëndime, pavarësisht se dyshohen të jenë piroteknikë. Rivaliteti mes klubeve shkonte edhe në aspektin politik”, shkruan mes të tjerash Hardy Grune. /Sport Ekspres/