Flamurtarit i ofrohet mbrojtësi i Grasshoperit, problem mbeten financat

Flamurtari mund të bëjë lëvizjen më të madhe të kësaj merkatoje, pasi në duart e klubit vlonjat ka rënë alternativa e ish-mbrojtësit të Grasshopersit, Alban Pnishi. Shqiptari i Kosovës luajti deri në sezonin e kaluar me skuadrën zvicerane të Grasshopersit. Ai u largua nga ekipi helvet, pasi pati probleme me trajnerin dhe nuk rinovoi kontratën. Edicioni 2017-18 nuk ishte shumë i suksesshëm për të, pasi luajti vetëm në 7 ndeshje, ndryshe nga vitet e tjera që ishte titullar.

Propozimi i tij në Shqipëri është luks, pasi flitet për një futbollist me eksperiencë të madhe dhe karrierë në nivele të larta. 27-vjeçari është pa ekip që prej fundit të sezonit kur u largua nga ekipi i Grasshopersit. Burime pranë futbollistit bëjnë me dije se menaxherët e tij e kanë propozuar futbollistin te ekipi i Flamurtarit.

Kandidatura i ka shkuar në duar Ardi Beharit, i cili e pëlqen goxha profilin e lojtarit, por ka një problem jo të vogël, financat. Mbrojtësi i qendrës ka pretendime të mëdha, që janë shumë të larta për kampionatin tonë dhe aq më tepër për një mbrojtës. Ai do rreth 10 mijë euro në muaj. Një shifër që tremb dhe një ekip si Flamurtarin. Të shohim dhe të presim, pasi gjithçka mund të ndodh.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *