Duke parë ecurinë e mirë të skuadrës në fazën e parë, te Flamurtari janë të bindur se këtë sezon mund të arrijnë në kupat e Europës. Dhe për të qenë edhe më të kompletuar në gjysmën e dytë të kampionatit, drejtuesit e klubit kuqezi po mendojnë që tani për merkaton e janarit. Mund të bëhen pak afrime, por që vërtet mund t’i bëjnë punë Flamurtarit në të ardhmen. Nga ajo çfarë është vënë re deri tani, skuadra kuqezi ka nevojë për një organizator dhe së fundi ka dalë në skenë futbollisti maqedonas Muarem Muarem. Bëhet fjalë për një mesfushor të avancuar, i cili aktivizohet me Aktoben në Kazakistan. Për disa sezone Muarem ka qenë pjesë e Karabakut në Azerbajxhan, pra ka luajtur bashkë me kapitenin e Kombëtares sonë, Ansi Agolli. 29-vjeçari ka qenë për disa vetë edhe pjesë e kombëtares së Maqedonisë, por kohët e fundit nuk është grumbulluar nga trajneri Angelovski.
“E di se Flamurtari interesohet për shërbimet e mia, mirëpo unë jam në kontratë me Aktoben deri në fund të vitit 2018. Mund të them se për momentin nuk ka asgjë konkrete, mirëpo gjasat ekzistojnë që unë të largohem nga kjo skuadër në janar. Deri atëherë nuk mund të them asgjë, pasi vetëm kur do të përfundojë gjithçka me Aktoben do vendos se në cilën skuadër do të vazhdojë karrierën time. Kontaktet drejtuesit e Flamurtarit i kanë bërë nëpërmjet menaxherëve të mi” – tha dje për “infosport.mk” futbollisti shkupjan.