Flamurtari rigjen kapitenin, por mungesat shtohen sërish

Mungesat mbeten shqetësim te Flamurtari, sepse janë disa lojtarë që stafi teknik nuk do t’i ketë të gatshëm për transfertën e Gjirokastrës, me rëndësi të veçantë për objektivin e Europës.  Por meraku më i madh i trajnerit Ardi Behari ka të bëjë me gjendjen e brazilianit Danilo Alvesh, që luajti vetëm 45 minuta në fitoren me Teutën.

Veliu, për shkak të kartonit të kuq të marrë në ndeshjen e fundit, nuk është i disponueshëm, ashtu si Kamara dhe Ardit Hoxhaj, por këta për shkak dëmtimi. Gjendja e Danilo Alveshit do të monitorohet me kujdes këto ditë dhe shpresohet që ai të riaftësohet në kohë, sepse i duhet skuadrës në fushë. Lojtari ka munguar në seancën e parë stërvitore të përgatitjeve për Luftëtarin, por janë edhe tri ditë kohë dhe ai mund ta kalojë dëmtimin.

Nga ana tjetër, këtë javë kthehet kapiteni Bushiç dhe  pritet që ta nisë nga minuta e parë në Gjirokastër. Alternativa për sulmin janë edhe Tunkara dhe Nedeljkoviç, por formacioni mbetet ende për t’u konfirmuar, në varësi të gjendjes së Danilo Alveshit.

Vlonjatët, për revansh në Gjirokastër

Një sfidë për revansh është kjo e radhës për vlonjatët, të cilët u mundën nga Luftëtari në fazën e tretë. Ndeshja luhej në Vlorë dhe një gol i Vasil Shkurtajt i dha fitoren ekipit gjirokastrit dhe njëkohësisht shënoi nisjen e krizës te Flamurtari. Në Gjirokastër është rasti për të “marrë hak”. Është një ndeshje rivalësh, sepse të dyja skuadrat luajnë për një vend në Europa League. Luftëtari është përpara me pikë dhe Flamurtarit i duhet të luajë për gjithçka në këtë transfertë.

Dy nga tri ndeshjet e këtij kampionati mes këtyre dy skuadrave janë mbyllur në barazim, ndërsa në Vlorë kanë fituar gjirokastritët. Flamurtari synon fitoren e parë ndaj Luftëtarit, që në përbërje ka disa vlonjatë. Një fitore e mundshme do të mbante gjallë shpresat e Flamurtarit për Europën. Humbja do të vriste shpresat e vlonjatëve, por pse janë ende jo pak pikë në lojë. Ndeshja e së shtunës është mjaft delikate.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *