Vlonjatët janë ende në “valle” për Europën, por ndaj shkodranëve kanë për të marrë edhe “hakun” e humbjes 3-0 të fazës së tretë në Shkodër
Elton Nika
Flamurtarit pret të shtunën Vllazninë në Vlorë, ku për të mbajtur gjallë shpresat për një vend në Europë, i duhet të fitojë me çdo kusht. Situata nuk është ajo më e mirë, pas humbjes me Luftëtarin, aq më tepër që sërish do të ketë mungesa në radhët e skuadrës bregdetare. Tri ndeshjet e deritanishme mes Flamurtarit dhe Vllaznisë flasin për një barazi të plotë, me nga një fitore për çdo skuadër dhe një barazim. Shkodranët luajnë për mbijetesë dhe sigurisht që do të vijnë në Vlorë për të marrë pikë, ndërkohë që vlonjatët kanë më shumë arsye për të marrë pikët maksimale në fundjavë. Kuqezinjtë duhet të bëjnë të gjitha përpjekjet për të shkuar në Europë, edhe pse i kanë komplikuar ndjeshëm llogaritë, por njëkohësisht, para tifozëve të tyre, duhet të marrin “hak” për humbjen 3-0 të fazës së tretë në Shkodër. Fazën e parë ndeshja u mbyll në barazim, 1-1, ndërsa fazën e dytë Flamurtari fitoi 2-0 në Vlorë.
ÇËSHTJE NDERI – Pavarësisht si do të shkojnë gjërat në pesë javët e fundit të kampionatit, vlonjatët do të përpiqen të bëjnë punën e tyre, të grumbullojnë sa më shumë pikë. Matematika i lejon të shpresojnë për një vend në Kupat e Europës, por edhe nëse nuk ia arrijnë qëllimit, ata do të luajnë vetëm për fanellën e tyre në çdo ndeshje, për nderin e tyre, një kërkesë që administratori Sinan Idrizi e ka përsëritur gjatë gjithë sezonit. Nëse Flamurtari fiton të shtunën, në kombinim edhe me rezultatet e rivalëve, mund të përfitojë për t’iu afruar kreut, pasi Laçi pret Skënderbeun dhe Luftëtari shkon në fushën e Kamzës, ndërsa Partizani përballet me Teutën. Mund të jetë një javë favorizuese për vlonjatët, të cilët të paktën në fushën e tyre duhet të tregojnë vlerat më të mira. Trajneri i ri, Ardi Behari, është munduar ta karikojë grupin e futbollistëve të bëjë më të mirë në këto ndeshje të fundit. Nën drejtimin e tij, Flamurtari fitoi me përmbysje ndaj Teutës, por më pas u mund në Gjirokastër.
PA PRESION – Administratori i klubit kuqezi, Sinan Idrizi, gjatë gjithë sezonit ka folur vetëm për respektimin e fanellës së Flamurtarit, duke mos krijuar aspak presion mbi skuadrën e tij. Të shtunën vlonjatët kanë një shans shumë të mirë që të fitojnë përpara tifozëve dhe për ta kthyer situatën në favorin e tyre. Mbi të gjitha, kuqezinjtë luajnë për fanellën dhe nderin e tyre në këto pesë javë.
SFIDË ISHËSH – Të shtunën do të jenë në fushë disa futbollistë, të cilët më parë kanë veshur fanellën e skuadrës kundërshtare. Te Flamurtari janë kapiteni Bushiç dhe mbrojtësi Bicaj, dy titullarë që më parë kanë qenë pjesë e Vllaznisë. Më të shumtë ish-ët janë bë radhët e shkodranëve, duke nisur nga Mersini, i cili deri në janar ishte pjesë e Flamurtarit dhe shkoi në Shkodër, për të vazhduar me Vucajn, Gilman Likën dhe trajnerin Ernest Gjoka. Ky i fundit madje ka edhe një llogari të hapur me klubin vlonjat për çështjen e pagesave.
Sërish heshtje totale
Vlonjatët kanë vijuar dje përgatitjet për ndeshjen e së shtunës me Vllazninë, por sërish nuk ka pasur asnjë deklaratë nga lojtarët. Nga klubi u është kërkuar të qëndrojnë sërish larg vëmendjes së shtypit dhe kuptohet që gjithçka lidhet me rëndësinë e takimit të radhës. Te Flamurtari e cilësojnë vendimtare ndeshjen e së shtunës dhe lojtarët, ashtu siç ka ndodhur gjatë periudhës së fundit, kanë vazhduar me heshtjen për shtyp. Në fakt, klubi nuk dëshiron ta konsiderojë heshtje shtypi, por thjesht një vendim të momentit që nga lojtarët të mos ketë deklarata të nxituara para Vllaznisë. Prej largimit të trajnerit Shpëtim Duro, daljet e pjesëtarëve të stafit apo lojtarëve të Flamurtarit në media kanë qenë me pikatore. Madje, para ndeshjes me Luftëtarin nuk pati konferencë shtypi nga trajneri Behari. Situata në fakt është vërtet delikate, sepse vlonjatët rrezikojnë shumë që të mbeten jashtë objektivit për një vend në Kupat e Europës, por kuptohet që në këtë rast nuk është aspak faji i medies. Strategjia e heshtjes është ndjekur edhe për ndeshjen e së shtunës me shkodranët, ndërsa tani mbetet për t’u parë sa do të japë efekt, sepse në Gjirokastër heshtja e shtypit nuk dha asnjë efekt. Lojtarët e Flamurtarit vijojnë të qëndrojnë gojëkyçur edhe para Vllaznisë.