Flamurtari nuk i ndahet kampionatit maqedonas, kërkon yllin e Renovës

Shpëtim Duro ka ndërtuar një skuadër të shkëlqyer këtë sezon, duke e mbyllur në vendin e dytë pjesën e parë të kampionatit, ndërsa tani kërkon përforcime për Flamurtarin. Pas afrimit të sulmuesit Nedeljkoviç dhe mesfushorit ofensiv Muarem, klubi vlonjat kërkon përforcime të tjera në mesfushë e sulm dhe pas dështimit të transferimit të Dejvi Bregut, Duro kthen sytë nga kampionati maqedonas, aty ku ka marrë lojtarë mjaft cilësorë deri tani, që janë bërë pika kyçe te skuadra e tij.

Emri i ri që del në skenë është ai i mesfushorit ofensiv Argjent Gafuri, mëson Sport Ekspres. Bëhet fjalë për një anësor ofensiv 28-vjeçar, i cili luan në të dy krahët e mesfushës dhe sulmit.

Prej thuajse një dekade pjesë e Renovës, Gafuri nuk ka lëvizur asnjëherë nga kampionati maqedonas dhe prej vitit 2011 është një ndër lojtarët më të rëndësishëm të Renovës, duke qenë ndër lojtarët më të aktivizuar dhe me një mesatare mjaft të mirë shënimi, por edhe asistesh.
Sezonin e shkuar Gafuri shënoi 8 gola në 34 ndeshje kampionati, ndërsa këtë sezon ka qenë titullar në të 18-ta e kampionatit, duke shënuar 4 gola, ndaj disa prej skuadrave më të mira të kampionatit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *