Lajmet zyrtare që vijnë nga Flamurtari janë ndryshe nga verat e shkuara. Janë pra lajme të mira, sepse çdo verë në Vlorë ishte krijuar e njëjta histori. Të ikurit ankohen për lekët, të ardhurit ankohen për eurot. Këtë vit është ndryshe. Nga sezoni i shkuar janë mbajtur rreth 5-6 lojtarë. Ata përfundimisht të gjithë janë shlyer financiarisht nga klubi deri në 1 korrik 2017. Hera e parë që klubi nuk na ka lekë borxh në skuadrën aktuale, të thonë. në fakt, ka ende ca probleme nga e shkuara, edhe ajo e afërta, por të gjithë shpresojnë që të zgjidhen pa gjyqe e pasoja.
Të ardhurit janë dy herë më shumë se ata që qëndruan. Më mirë nami se syri. Donin siguri financiare. Secili prej tyre ka marrë paradhënie 30% të rrogës. Asnjëherë në këto 3 sezone Flamurtari nuk do e nisë sezonin me portofolin që nuk e zë xhepin. Duhen dy xhepa për t’i vendosur ato para. Tani edhe trajneri Duro, që duhet ta paguash me euro për të vënë buzën në gaz, është i detyruar të qeshë.
Nga presidenti problematik, Sinani na doli presidenti ideal. Jo vetëm që të lë dorë të lirë të marrësh kë të duash, por nuk fut hundët as në formacion. E pranon që nuk merr vesh nga ajo punë, nuk e gënjen mendja. Jo vetëm që s’bën këto, por jep dhe paratë. Jo vetëm që jep paratë, por i jep paradhënie. Jo keq, është një Sinan ndryshe. Nuk ka lidhje fare me të shkuarën e vet, por as me të tashmen e ndonjë kolegu të vet.
Ndoshta është merita e Duros, ose ndoshta dhe Sinani e kuptoi, që nuk ka rëndësi vetëm sa lekë jep dhe nuk ka rëndësi që një ditë do i japësh, por është shumë e rëndësishme kur do t’i japësh. Tani topi ka kaluar nga ekipi dhe sidomos nga trajneri. Nëse nuk kap Europën në këto kushte pune, çfarë do më shumë nga jeta?