Flamurtari ka humbur në miqësoren e parë në tokën turke, përballë skuadrës së kategorisë së dytë BB Erzurumspor. Flamurtari ka humbur vetëm falë një goli të shënuar në minutën e 81-të të ndeshjes nga mesfushori i skuadrës turke Osman Shahin. Ndeshja është zhvilluar në “Mardan Palace Belek”, Antalia, në një impiant sportiv me të vërtetë mjaft të mirë, aty ku ndodhen edhe skuadra të tjera që janë duke zhvilluar fazën përgatitore. Trajneri Shpëtim Duro ka aktivizuar në këtë përballje të gjithë lojtarët që ka patur në dispozicion. Ka munguar Bicaj, për shkak të një dëmtimi të pësuar gjatë fazës përgatitore. Sipas informacioneve të mbërritura nga Turqia, vlonjatët kanë patur shumë mundësi për të realizuar gjatë pjesës së parë dhe pjesës së dytë, por goli ka munguar. Kamara, por edhe afrimi i fundit në merkato Nedejlkoviç kanë patur mundësitë më të mira gjatë pjesës së parë, ndërsa në 45 minutat e dyta skuadra ka vijuar të kërkojë golin, por pa rezultat. Bushiç ka patur një mundësi shumë të mirë, ashtu si edhe Zuka e Gafuri, por nuk ka patur gol për vlonjatët. Nëntë minuta nga fundi ka shënuar Shahin për skuadrën turke, një gol që ka vendosur ndeshjen dhe regjistrohet kështu humbja e parë për Flamurtarin.
Blerjet – Nga blerjet e merkatos së dimrit është aktivizuar vetëm Nedejlkoviç nga minuta e parë, ndërsa afrimet e tjera janë hedhur në fushën e lojës vetëm në pjesën e dytë. Ditën e hënë, Flamurtari do të luajë miqësoren e dytë përballë skuadrës nga Kazakistani, Aktobe që renditet në vend të gjashtë në kampionatin e vendit të vet.
Duro: Ishte vetëm një miqësore
Trajneri i Flamurtarit, Shpëtim Duro nuk është dukur aspak i mërzitur pas ndeshjes së parë miqësore të humbur në Turqi. Mësohet se vetë Duro ka theksuar se janë pikërisht për këtë qëllim. “Janë thjesht teste miqësore në një periudhë ku rëndësi kanë përgatitjet. Më shumë se rezultati i një ndeshjeje miqësore, qëllimi në këtë periudhë mbetet që skuadra të marrë ngarkesën e duhur në përgatitje. Natyrisht këto ndeshje miqësore janë një test i mirë, ku mendoj se rezultati është i fundit që shikohet apo edhe ka ndonjë rëndësi të veçantë, mësohet të ketë thënë trajneri i Flamurtarit.
Trajneri tiranas ka vazhduar të flasë për situatën në skuadrën e tij. Natyrisht që të gjithë duan që në një ndeshje të fitojnë, por mendoj se jemi duke u fokusuar tek përgatitet dhe padyshim që lojtarët janë disi të ngarkuar. Kjo është një periudhë që më shumë se në një ndeshje miqësore, vlen për vijimin e kampionatit. Unë kam marrë padyshim edhe përgjigjet që doja nga skuadra. Gjatë qëndrimit në Turqi do të luajmë edhe dy ndeshje të tjera miqësore, ku siç e dini më datë 15 janar do të luajmë përballë Aktobes, ndërsa në ditët në vijim, pas kësaj miqësoreje do të zhvillojmë edhe një test të tretë. Unë e kam thënë që nuk ka rëndësi kundërshtari, por rëndësi ka të luajmë miqësore, pasi shërbejnë për përgatitjet, ka konfirmuar Shpëtim Duro.