Vllaznia ka siguruar sot biletën për në gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë, duke shkuar kështu pranë objektivit për të prekur Europën. Futbollisti Arsid Kruja ka dhënë një intervistë për emisionin “Sport Magazine“ të moderuar na Drilon Xhepollari dhe të transmetuar në “Ora News“, ku ka folur për Vllazninë e këtij sezoni. Lojtari shkodran thekson se rruga për në Europë është më e shkurtër nga Kupa, por nga ana tjetër beson deri në fund te titulli kampion, pavarësisht arratisë së Tiranës në krye të tabelës.
“Në intervistën para ndeshjes e kam thënë që Flamurtari është një ekip që nuk duhet nënvlerësuar, pasi ka elemente që kanë luajtur në Superligën shqiptare për shumë vite. Normalisht duhet të kemi respekt të veçantë, sidomos për ata futbollistë që njihen. Por loja ishte një lojë ku motivimi nuk ishte 100% siç duket, por e rëndësishme është që kaluam në turin tjetër. Kemi ardhur në një pikë ku çdo ekip është i fortë. Është gjysmëfinalja dhe sigurisht që ekipet që kualifikohen janë ato më të forta. Kushdo të qëllojë duhet dhënë maksimumi ndaj tyre.
Janë edhe dy faza për tu luajtur. Mundësitë janë, nuk është e pamundur. Përderisa edhe matematika ta lejon. Por të shohim, ka edhe shumë ndeshje për të zhvilluar dhe besoj se mund të arrihet. Vjet ishim 12 pikë në krye dhe humbëm kampionatin? Për këtë arsye them se mund të rekuperojmë, pasi vjet na ndodhi kjo situatë neve. Ishim 12 pikë para dhe na iku kampionati. Me këtë ekip që kemi sivjet besoj se çdo gjë mund të arrihet.
Rruga më e lehtë për në Europë? Logjikisht në Kupë. Kemi arritur në gjysmëfinale dhe vetëm dy ndeshje janë për të shkuar në finale. Është më e lehtë. Por ne i kemi objektivat si në kampionat, si në Kupë, për të arritur Europën.
Vetëm pjesa e sulmit, e finalizimit, është ajo që na ka munguar. Rastet kanë qenë të shumta. Ndeshjet më kryesore të kampionatit i kemi luajtur mirë, vetëm shënimi i golit ka munguar. Kjo është pjesa më e rëndësishme, të jemi më të efektshëm para portës“, ka deklaruar Arsid Kruja./Halit Delibashi-Sport Ekspres/