A është ky ekipi që në Vlorë prisnin prej vitesh? Thuajse të gjithë mendojnë se po. Një start i tillë mungonte që prej vitit 2010, kur Flamurtari i Maganit meritonte titullin
Elton Nika
Pesë fitore, pesë barazime dhe vetëm një humbje. Vlonjatët ndodhen në kuotën e 20 pikëve pas 11 javësh kampionat, të dytët në tabelën e klasifikimit, pozicion që u mungonte prej gati 6 sezonesh në Superiore. Flamurtari aktual po rikthen në Vlorë emocionet e sezonit 2010-2011, kur rivalizonte për titullin kampion deri në fund. Edhe pse është ende shpejt dhe drejtuesit e klubit vlonjat dëshirojnë të qëndrojnë me këmbë në tokë, pas fitores në Lushnjë ka entuziazëm edhe më të madh. Flamurtari tashmë është forca e dytë, duke përfituar edhe nga humbja e djeshme e Kukësit ndaj Partizanit.
ECURIA – Pas asaj humbjeje në javën e parë të kampionatit në Korçë, vlonjatët kanë nisur marshimin e tyre drejt kreut. Dy fitoret me Lushnjën (3-1, 0-1), ato me Teutën në transfertë (1-2), Partizanin (0-1) dhe Kamzën në Vlorë (1-0), e kanë ngjitur Flamurtarin në vendin që meriton për lojën që zhvillon. Madje, të gjithë mendojnë se të paktën 2 apo 3 nga 5 barazimet e deritanishme duhej të ishin fitore, nëse do të kishte pasur një gjykim korrekt ndaj Flamurtarit. Fjala është për barazimet me Laçin, Vllazninë apo dhe Skënderbeun, ku vlonjatët janë penalizuar nga gjykimi.
TRANSFERTAT – Flamurtari mund të cilësohet edhe ekipi i transfertave deri tani, duke parë se nga 20 pikë që ka në renditje, 11 pikë i ka marrë jashtë Vlorës dhe 9 në shtëpi, duke llogaritur këtu edhe fitoren e parë me Lushnjën, edhe pse ndeshja u luajt në stadiumin e Ballshit. E vetmja transfertë e pasuksesshme është ajo përballë Skënderbeut, ku kuqezinjtë humbën 2-0.
KRAHASIMI – Duke bërë një krahasim me 11 javët e para të sezonit të kaluar, Flamurtari i tanishëm është shumë më lart në çdo drejtim. Një vit më parë regjistronte 3 fitore, konkretisht ndaj Luftëtarit 5-0, Korabit 4-1 dhe Skënderbeut 2-0, të gjitha në Vlorë. Por vlonjatët pësonin edhe 4 humbje, me Skënderbeun në premierën e kampionatit 2-1, Tiranën 3-0, Partizanit 4-0 dhe Vllazninë 2-0, si dhe 4 barazimet me Teutën dhe Kukësin në Vlorë dhe Laçin e Luftëtarin në transfertë. Treguesit aktualë janë shumë më të mirë se sezonin e kaluar, kur Flamurtari kishte në renditje vetëm 13 pikë, 7 pikë më pak, dhe mbante vendin e 6-të në renditje. Sezonin e kaluar vlonjatët shënonin më shumë, por edhe pësonin më shumë, teksa kishin golaverazhin 15-15 në 11 javë, kurse tani e kanë 12-8.
SI KURRË NË 7 VITE – Me 20 pikë në 11 ndeshje Flamurtari nuk ka qenë asnjëherë që prej vitit 2010. Atë sezon ishte Magani në drejtim dhe skuadra përbëhej nga yje, duke nisur nga Odise Roshi e deri te Daniel Xhafa. Ai ekip u mund në Peqin e në Durrës në 11 javët e para të atij sezoni, por barazoi vetëm një ndeshje, duke grumbulluar 25 pikë në 11 javët e para. Ishte një ekip i tëri shqiptar, ndryshe nga tani, por Flamurtari i Shpëtim Duros nuk humbet prej 10 javësh dhe nuk pëson gol lehtë, edhe pse sulmi nuk është ende në rendiment maksimal.
E ARDHMJA – Të gjitha këto shifra flasin për një Flamurtar si ai që në Vlorë kanë disa vite që e presin dhe që administratori Sinan Idrizi e konsideron si më të mirën që kur është në krye të klubit vlonjat. Skuadra ka forcë dhe kualitet, mbrohet mirë dhe ka një sulm të konsoliduar. Zgjedhjet e trajnerit Shpëtim Duro në merkaton e verës kanë rezultuar të goditura dhe, duke qenë se ekipi është i krijuar rishtaz, me kalimin e kohës do të jetë edhe më mirë. Ndoshta duhet pak më shumë fantazi në mesfushë, por në merkaton e janarit mund të ndërhyhet në këtë pozicion dhe Flamurtari ka shanse të mëdha jo vetëm për një vend në kupat e Europës, por pse jo edhe për titullin kampion.