Flamurtari është ende në qetësi totale, duke mos nisur ende punën për sezonin e ri. Së pari duhet vendosur përfundimisht për trajnerin e ri, sepse Ilir Daja nuk ka firmosur dhe nuk është ende zyrtarisht “vlonjat”, por mbi të gjitha duhet sqaruar e ardhmja e klubit, sepse në fund të qershorit përfundon kontrata e administrimit nga kompanitë turke dhe Sinan Idrizi, i cili pret sinjalet e duhura nga bashkia, pasi e ka bërë të qartë që Flamurtari duhet privatizuar urgjentisht, për të shmangur problemet e viteve të fundit dhe për ta trajtuar më në fund si një biznes që duhet të jetojë me forcat e veta në treg.
Në pritje të zgjidhjes së këtij problemi, Flamurtari sheh përreth dhe mundohet të sigurojë ndonjë goditje të fortë në merkato, për ta pasur si dhuratë për trajnerin e ri.
“Sport Ekspres” mëson se në Vlorë po tentohet mundësia e afrimit të sulmuesit Ali Soue. 24-vjeçari mahniti sezonin e shkuar te Skënderbeu, ku ishte në huazim nga Kievo, ndërsa tani është kthyer në Verona, pasi ka edhe një vit kontratë.
Megjithatë, Kievo nuk do ta mbajë dhe shpreson ta shesë këtë verë. Oferta konkrete nuk ka në tryezë, ndaj Flamurtari mund të përfitojë, duke kërkuar huazimin, mundësisht duke paguar, edhe pe jo shifra kolosale.
Trajneri Ilir Daja do ta mirëpriste në Vlorë sulmuesin të cilin e ka pasur në Korçë, pavarësisht se pjesë e ekipit është planifikuar edhe Tomisllav Bushiç.
Një mënyrë për të arritur te Soue mund të jetë edhe ndërhyrja miqësore e Igli Tares, i cili mund të bisedojë me drejtuesit e Kievos, ndërkohë që natyrisht duhet parë edhe dëshira e vetë sulmuesit, i cili ka pasur interesime edhe nga Turqia apo kampionate të tjera.