Nuk ka pushim në Vlorë, sepse ndonëse lojtarët kanë marrë disa ditë pushim për festa, klubi vijon punën për përforcime në merkato, duke e çuar në 3 numrin e të afruarve për pjesën e dytë të sezonit.
Mesfushori ofensiv Argjent Gafuri është i Flamurtarit, mëson Sport Ekspres, dhe do të jetë nesër në Vlorë për të firmosur. Bëhet fjalë për një mesfushor 28-vjeçar nga Tetova, i cili luan si fantazist, por edhe në të dy krahët e sulmit.
Pas afrimit të sulmuesit Nedeljkoviç dhe mesfushorit ofensiv Muarem, klubi vlonjat kërkon përforcime të tjera në mesfushë e sulm dhe pas dështimit të transferimit të Dejvi Bregut, Duro ka vendosur të kërkojë elemente cilësorë nga kampionati maqedonas, aty ku ka “peshkuar” shumë mirë verën e shkuar.
Gafuri është rritur në grupmoshat e Partizan Beogradit dhe prej vitit 2011 është një ndër lojtarët më të rëndësishëm të Renovës, duke qenë ndër lojtarët më të aktivizuar dhe me një mesatare mjaft të mirë shënimi, por edhe asistesh.
Sezonin e shkuar Gafuri shënoi 8 gola në 34 ndeshje kampionati, ndërsa këtë sezon ka qenë titullar në të gjitha ndeshjet e kampionatit, duke shënuar 4 gola, ndaj disa prej skuadrave më të mira të kampionatit.
Në Vlorë Gafuri do të firmosë një kontratë 1,5-vjeçare dhe do të prezantohet nesër.