Flamurtari-Kukësi sot do të arbitrohet nga Eldorjano Hamiti. Bëhet fjalë për një arbitër që për herë të fundit e ka drejtuar Flamurtarin në maj të këtij viti dhe pikërisht në Kukës.
Përfundoi 1-0 për Kukësin dhe Flamurtari pati ankesa të mëdha, duke akuzuar gjykimin për favorizim të hapur të Kukësit. Rastësi që Hamiti gjykon të njëjtën ndeshje sot?
Ja çfarë thoshte Shpëtim Duro:
“Nuk e kuptova se cila ishte skuadra që lufton për kampion?! Flamurtari apo Kukësi? Ne luajtëm shumë mirë sidomos në pjesën e dytë, por gjyqtari ishte tendencioz.
Ishin superiorë në fushën e lojës dhe jam i kënaqur nga skuadra ime. Kukësi e zgjidhi me një aksion të vetëm, ku Pejiç shënoi.
Në pjesën e parë ishim më të kujdesshëm në fazën mbrojtëse. Jam i shqetësuar shumë nga gjyqtari, sepse është një djalë i ri.
Sot ishte skandaloz! E ka fituar zanatin shumë shpejt dhe po mëson shumë nga të vjetërit. Po i bëj një këshillë që të jetë më i kujdesshëm, nëse do të bëjë karrierë.”